Sot në mesditë mbërrin në Tiranë kancelaria gjermane Angela Merkel.- Vizita e kancelares Merkel do të shoqërohet me masa të rrepta sigurie, por dhe bllokimin e akseve rrugore apo kufizim të qarkullimit në disa zona.
Kryeministri Edi Rama e vlereson si dite te shenuar viziten e pare te Angela Merkel sot ne Tirane.
Shefi i qeverise shqipetare i ka uruar ne gjermanisht permes rrjeteve sociale mirseardhjen Merkelit.
Sipas informacionit zyrtar të kryeministrisë shqiptare, mësohet se ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të organizohet në ambientet e godinës qeveritare, ku do të zhvillohet dhe konferenca e përbashkët për shtyp mes kancelares gjermane dhe kryeministrit Edi Rama. Pas takimit me kreun e qeverisë shqiptare, Merkel do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Vizita e saj do të mbyllet me fjalën që Merkel dhe Rama do të mbajnë në Konferencën Ekonomike Gjermano-Shqiptare.
Vizita e Merkelit do të jetë një angazhim serioz në aspektin e sigurisë. Një numër i madh forcash policore do të angazhohen për të garantuar sigurinë e realizimit të axhendës së kancelaren, në mënyrë të ngjashme me vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç. Tirana pritet të jetë gjatë ditës së sotme një qytet i blinduar, por edhe i vështirë për të qarkulluar për shkak të masave të marra nga policia dhe shërbimet e tjera të sigurisë, në bashkëpunim të plotë me palën gjermane. Gjithashtu, Garda e Republikës do të ketë një angazhim të veçantë në planin e masave për garantimin e sigurisë së vizitës së kancelares Merkel.
Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel do të ketë në qendër të vëmendjes, jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Gjermani, në planin politik, ekonomik apo çështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon, duke qenë se kancelarja do të vizitojë dhe Serbinë dhe Bosnjën pas Shqipërisë. Kjo bën, që sipas ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, vizita të ketë një rëndësi historike. I pyetur për domethënien që ka kjo vizitë për rajonin në tërësi, Bushati ka pohuar se, “Gjermania në planin evropian konsiderohet si kontributorja kryesore në rajon gjatë këtyre 25 viteve”.