Rama: Dakord me Berishën, Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton

48

edi-rama-me-ambasadoretKryeministri Edi Rama priti mbrëmjen e sotme, në selinë e rikonstruktuar të Kryeministrisë, ambasadorët e akredituar në vendin tonë dhe një grup përfaqësuesish të institucioneve ndërkombëtare e të sipërmarrjes së huaj në Shqipëri.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, shefi i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për të gjithë ambasadorët, që siç tha ai, kanë ndihmuar Shqipërinë me dije, qëndrime apo ndihmë financiare.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht për çdo ndihmë të madhe apo të vogël, për Shqipërinë e këtyre viteve. Dua të falënderoj të gjithë ata ndër ju që nuk kanë rreshtur së besuari për një Shqipëri europiane.”- deklaroi Rama.

Duke theksuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të mundur për të merituar statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kryeministri Rama tha se mbetet dakord me paraardhësin e tij, Berisha kur thoshte se “Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton”.

“Europa është një destinacion brenda nesh. Më shumë Europë, nuk do të thotë më pak Amerikë për Shqipërinë. Nuk kemi iluzione, integrimi evropian është mjaft lehtë të thuhet dhe i vështirë të bëhet. Mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte se Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Do të bëjmë gjithçka për të kërkuar atë që meritojmë, statusin e vendit kandidat.”- u shpreh Rama.