“Ky vendim rregullon procedurën e rekrutimit, të emërimit dhe periudhën e provës për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, si dhe procedurën e lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë”, -thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
PARIMET E PRANIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL:
1. Procedura e pranimit në shërbimin civil organizohet vetëm për kategorinë ekzekutive. Kjo procedurë organizohet në mënyrë të ndarë për grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm dhe për çdo grup të pozicioneve të administrimit të posaçëm.
2. DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive.
3. Bazuar në planin vjetor të pranimit, njësia përgjegjëse njofton procedurën e pranimit për çdo grup, duke bërë të njohur edhe planin e zhvillimit të procedurës për secilin grup, jo më vonë se një muaj pas miratimit të këtij plani nga organet përgjegjëse, ose gjatë vitit kur shfaqet e nevojshme si rezultat i krijimit të vendeve vakante në mënyrë të paparashikuar.
4. Për institucionet e administratës shtetërore, shpallja e procedurës së pranimit për secilin grup publikohet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it dhe qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit.
5. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut.
6. Institucionet, përveç mënyrave detyruese të shpalljeve të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të këtij vendimi, mund të përdorin si mënyra alternative të shpalljes së konkurrimit faqen e internetit të institucionit, si dhe çdo mjet tjetër të konsideruar të përshtatshëm për shpalljen, të njohur nga legjislacioni në fuqi.
7. Shpallja e procedurës së pranimit botohet të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e konkurrimit.
8. Shpallja në portal dhe në faqen zyrtare të DAP-it përmban këto të dhëna:
a) Fushën kryesore mbi të cilën do të bazohet konkurrimi, si dhe aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në konkurrim;
b) Fazat në të cilën do të kalojë konkurrimi, me shkrim dhe me gojë;
c) Numrin e vendeve të planifikuara për të cilat do të bëhet pranimi;
ç) Kërkesat e përgjithshme, në përputhje me nenin 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”;
d) Përshkrimin e përgjithshëm të punës së grupit/grupeve të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm, për të cilin do të zhvillohet konkurrimi;
dh) Kërkesat e veçanta të grupit të administrimit të përgjithshëm/të
posaçëm;
e) Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;
ë) Afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
f) Datën e daljes së rezultateve për fazën e vlerësimit paraprak të kandidatëve;
g) Datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet konkurrimi;
gj) Mënyrën e vlerësimit të kandidatëve në fazën e verifikimit paraprak, si dhe në fazën e vlerësimit të kandidatëve;
h) Datën e daljes së rezultateve të konkurrimit;
i) Mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.
9. Dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.
10. Lista e dokumenteve që duhet të plotësojë kandidati është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.