Qeveria gjermane do të ashpërsojë të drejtën e azilit

59

AZILNjerëz nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia pritet ta kenë në të ardhmen edhe më të vështirë që të paraqesin me sukses një lutje për azil në Gjermani. Për këtë do të kujdeset qeveria gjermane me projektligjin e saj për klasifikimin edhe të shteteve të tjera si “vende të sigurta të origjinës”. Azilkërkues nga shtete të tilla duhet të llogarisin që rastet e tyre do të përpunohen me shpejtësi dhe kërkesa për azil do të refuzohet në shumicën e rasteve si “qartësisht e paargumentuar”.

“Ne duam ta pakësojmë me këtë hap numrin e azilkërkuesve nga këto shtete”, e argumentoi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere (CDU) motivin për propozimin e tij të miratuar nga kabineti. De Maiziere tërhoqi në këtë drejtim vëmendjen për praktikën që ndiqet në Britaninë e Madhe, në Francë dhe në Belgjikë. Atje, një procedurë e tillë ka kohë që është e zakonshme.

Qeveria nuk sheh rrezik për romët

Qeveria e justifikon projektligjin e saj ndër të tjera me argumentin se në vendet e prekura nuk ka përndjekje, tortura, dhunë arbitrare ose trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Romët në këto vende vërtet diskriminohen, por nuk përndiqen. Vitin e kaluar ishin më shumë se 20.000 vetë nga këto vende të përmendura që shtruan kërkesë për azil në Gjermani, numri i përgjithshëm ishte më shumë se 100.000 vetë.

Pasojat për të prekurit e refuzuar nga “shtete të sigurta të origjinës” janë të rënda. Atyre u mbetet vetëm një javë kohë për të paraqitur ankesë. Por edhe ankesa nuk ua ndalon kthimin. Gjykatat administrative kanë të drejtë të urdhërojnë ndalimin e dëbimit vetëm nëse ekzistojnë dyshime serioze në seriozitetin e vendimit. Nga trajtimi i përshpejtuar i procedurave të azilit për vendet e sigurta të origjinës synohet të përfitojnë azilkërkues nga shtete në krizë si Siria, procedurat e të cilëve zgjatin aktualisht me muaj.

Pro Asyl e konsideron jo të besueshëm argumentimin e qeverisë

Shumë organizata të refugjatëve kanë kohë që paralajmërojnë për rrezikun e së ashtuquajturës rregullore për shtetet e treta. Drejtuesi i organizatës “Pro Asyl”, Günter Burkhardt i tha agjencisë gjermane të lajmeve, DPA se në këto vende ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, korrupsion, shkelje të lirisë së shtypit dhe struktura që nuk funksionojnë në sistemin juridik. Dhuna ndaj grave dhe sulmet kundër homoseksualëve nuk janë diçka e rrallë. Që prej vitit 2012, 90 përqind e kërkesave për azil nga këto tri shtete ballkanike janë refuzuar në fakt në procedurë të përshpejtuar, kritikon Pro Asyl.

Mbështetje projektligji i CDU-së merr nga CSU-ja. Zëdhënësi për politikën e brendshme dhe atë juridike i kësaj partie në Bundestag, Michael Frieser dëshiron që tri shteteve të përmendura si “shtete të sigurta” t’i shtojë edhe Shqipërinë. Si argumentim ai tërheq vëmendjen në numrin e azilkërkuesve nga Shqipëria, të rritur dukshëm në tremujorin e parë të këtij viti, “pa qenë e mundur të konstatohet një përndjekje në parim e azilkërkuesve në kuptimin e ligjit për azilin”. /DW/