“Në mos gabofsha me datën 13 maj më njoftuan se duhet të paraqitesha në Drejtorinë e Çerdheve. Shkova dhe takova shefen e Burimeve Njerëzore, zonjën Behije. Nuk më kujtohet mbiemri i saj. Ajo kishte përgatitur një letër për largimin tim nga puna dhe më tha se motivi ishte për arsye shkollimi. Më tha, nëse doja ta lexoja letrën, por unë nuk pranova. E pyeta sërish se cili ishte motivi real i largimit nga puna dhe mu përgjigj se ishte niveli i pamjaftueshëm i arsimit për këtë profesion. I kërkova të dija nëse kisha ndonjë shkelje apo gabim, por ajo më tha që ishte vetëm çështje shkollimi. Pas njoftimit, kam shkuar në punë për gati 2-3 ditë rresht. Ishte data 17 maj, ditë e premte dhe ora 6:30 e mëngjesit. Sapo kisha vajtur në punë, kur më thërret drejtoresha Stela Çavo në zyrë. Ajo më thotë se isha e pushuar nga puna dhe më kërkoi letrën që më kishte dhënë Drejtoresha e Burimeve Njerëzore. Ia dorëzova letrën dhe u largova me qetësi. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me të. Poshtë pallatit tim ndodhet zyra e Olsa Vutas që merret me organizim fushate të PD-së. Unë nuk jam paraqitur asnjëherë, pasi djemtë e mi janë të aktivizuar me Partinë Socialiste. Shumë kolege të miat janë të detyruara të merren me fushatë për të mbajtur vendin e punës. Është kërkuar që të paraqitemi nëpër zyra dhe të çojmë disa emra nga familja. Drejtoresha e çerdhes e di bindjen time politike dhe për djemtë e mi. Ajo është militante e PD-së dhe thotë se do ta bëjë çerdhen blu”, thotë ajo./gazeta Dita/