Pse Berisha po i hyn me kokë Lezhës?!

61

berisha jep doreheqjenKomisioni Qendror i Zgjedhjeve, megjithëse pa kuorum dhe me vetëm 4 anëtarë, votoi rinumërimin e kutive të Lezhës dhe Shkodrës. As që nuk ishte si objekt-kërkesë një ditë më parë, por befasisht u hodh në tryezë vetëm disa orë pasi kryeministri në ikje Sali Berisha, deklaroi vjedhjen e votave nga Rama-Meta në Lezhë.

Pra, kryeministri që kishte të gjitha pushtetet, po ankohet si në 2005 PS-ja se i vodhën votat ! Por halli i vërtetë i Berishës duket se nuk është ky. Ai po tërheq fijet e KQZ për të gjetur thjesht një argument për të bërë opozitë. Thjesht për të bërë pis kundërshtarin, se është njëlloj si ai. Por ka edhe një tjetër prapaskenë. Ky vendim i KQZ dhe reagimi i Berishës vijnë menjëherë pas intervistës së dhënë në “HardTalk” në BBC e Londrës nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama.

Dhe po citojmë se Rama mes të tjerash deklaroi se “21 Janari nuk do harrohet kurrë, do bëhet drejtësi dhe mendoj se përgjegjësi në këtë ngjarje ka edhe Sali Berisha”. Ky është edhe halli i vërtetë i kryeministrit në ikje dhe të tijve. Ajo që e pret në shtator me shumicën e cilësuar. Ai nuk ka më forca ta bllokojë dyshen Rama-Meta, sikur edhe të ndryshojnë raportet aty për aty në Shkodër dhe Lezhë.

Është e qartë se mazhoranca e re do të ketë me patjetër shumicë cilësuese. Berisha nuk e bllokon dot as për Integrimin në BE, as për reformat kushtetuese, administrative apo ligjore. Përpjekja e tij për të njollosur procesin zgjedhor ka vetëm një prapaskenë të qartë. Se si t’i shpëtojë drejtësisë pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re me shumicë cilësuese. Dhe mënyra e vetme është të delegjitimojë zgjedhjet në çdo mënyrë. Pra pushteti të ankohet se opozita i vodhi votat.

Por duket se ky argument nuk mund të përtypet nga qytetarët, sepse janë 1 milionë vota kundër projektit të mazhorancës në ikje me vota të blera majtas. Berisha nuk i jep dot justifikim qytetarëve më se Rama është hajdut votash. Të paktën për argumentin e standardit të dyfishtë, ku e njëjta KQZ nuk i hapi kutitë në 2009, por pranoi t’i hapë në 2013… Pa iu përgjigjur PSE-së së madhe, kryeministri në ikje duket në mes të katër rrugëve të politikës dhe po mbahet pas fijes së barit.

Me rrugën e ndjekur ai vetëm sa lodh veten dhe të tijët, sepse një mazhorancë cilësuese as që e llogarit në të paktën 4 vite dhe mund të bëjë gjithçka pa hasur pengesa. E vetmja enigmë është nëse Rama-Meta do të “tremben” nga kjo kundërpërgjigje e Berishës që nëpërmjet KQZ të ngrejë pikëpyetjen e madhe për zgjedhjet… Dhe gjasat janë që aspak, sepse një KQZ me 4 anëtarë është lehtësisht e rrëzueshme në Kolegj, ashtu siç dhe u rrëzua para zgjedhjeve. Prej nesër do të duket fytyra e vërtetë e Berishës dhe sistemit që ai ngriti…

“Dita”