PS: PD e zhyti vendin në borxh, ne po lajmë borxhet e tyre

61

Ervin-Bushati“Partia Demokratike e zhyti vendin në borxh, ndërsa ne po lajmë borxhet e tyre”, deklaroi Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati.

Në reagim të ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, Bushati tha se “opozita vazhdon të sillet sikur sapo ka rënë nga qielli, e sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e la Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit”. Në konferencën për shtyp nga selia e PS-së, Bushati theksoi se “sot, kurajon për të sfiduar inteligjencën e shqiptarëve e pati dora vetë, ish Ministri i Financave që gjatë 8 viteve në pushtet, e zhyti Shqipërinë në borxhe. Vetëm borxhi i padeklaruar i qeverisë së kaluar ndaj kompanive të kontraktuara për të ndërtuar infrastrukturë e për të ofruar shërbime — ishte plot 720 milionë dollarë. Ne këtë borxh jemi zotuar ta shlyejmë: që investimet të rriten, që punësimi të rritet, që infrastruktura të përmirësohet, që shërbimet të jenë cilësore”.

Ai shtoi se falë buxhetit të ri, ne ulëm taksat për 97% të shqiptarëve, duke përmbushur premtimin tonë madhor që në katër muajt e parë të qeverisjes së re.”Ne hoqëm taksën e biznesit të vogël dhe ulëm tatim fitimin për të gjithë bizneset e vogla, nga 10 në 7,5%. Doganat, në periudhën tetor 2013 – janar 2014 kanë mbledhur 17% më shumë të ardhura, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Tatimet, në periudhën tetor 2013 – janar 2014 kanë mbledhur plotë 3,9 miliardë lekë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më pare”, bëri të ditur Bushati.

Sipas tij, buxheti i qeverisë së re, injekton në ekonomi vetëm gjatë vitit 2014 plotë 1,1 miliardë dollarë; jo vetëm duke shlyer 350 milionë dollarë borxhet e krijuara nga qeveria e kaluar, por dhe duke investuar fort në ekonominë shqiptare. Në përfundim të deklaratës për mediat, Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati theksoi se “qeveria e re është e vendosur ta rimëkëmbë ekonominë dhe të rikthejë besimin e investitorëve vendas e të huaj në ekonominë shqiptare.