UDB-ja është ende aktive në Kosovë

63
UDBUDB-ja është ende aktiv në Kosovë. Shërbimi sekret serb vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë. Këtë fakt po e dëshmojnë veprimet, ku pas shumë vrasjeve në Kosovë dhe rajon, po dalin të kenë gisht shërbimet e fshehta serbe. Njohës të çështjeve të sigurisë dhe deputetë thonë se shumë vrasje edhe para luftës, por edhe pas saj, kanë qenë të orkestruara nga UDB-ja. Vrasja e të rinjve serb në vitin 1998 në lokalin ‘Panda’ në Pejë, por edhe vrasja e disa maqedonëve në Smilkovc kanë karakteristika të njëjta, duke qenë se të dyja janë bërë për motive të nxitjes së urrejtjes mes popullit shqiptarë dhe popullit serb, përkatësisht atij maqedonas.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thotë se shërbimi sekret serb vazhdon të jetë prezentë në Kosovë, me veprimet e tyre, por edhe në vendet e rajonit. Madje, Maloku dyshon edhe në një person konkret se ai është ideatori dhe realizatori i të tria vrasjeve me motive ndëretnike.

“Unë kisha tërheq një paralele, tri vrasje, sipas mendimit tim karakteristike, aq sa kam mundur t’i studiojë dhe informacionit që kam pasur, por edhe mënyrës se si janë kryer. Është vrasja, apo rasti i Paraçinit, kur Aziz Kelmendi, sipas tyre, i vranë një numër të ushtarëve dhe ata zgjedhën prej të gjitha komuniteteve në atë kohë, të gjitha republikave të ish Jugosllavisë. Është vrasja e të rinjve në Pejë, në kafiterin ‘Panda’, në vitin 1998, dhe vrasja e vitit të kaluar që ndodhi në Smilkovc . Në këto tri vrasje unë gjejë shumë karakteristika të përbashkëta, dhe jam i prirë të besoj dhe jam shumë i bindur që është e njëjta kokë që i ka menduar, planifikuar dhe realizuar”, thotë Maloku.

Ai thotë për Kosovapress se shumë vrasje kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, dhe gjithmonë bëheshin para ndonjë date të rëndësishme. Sipas Malokut, edhe rasti i vrasjes së fëmijëve në Gorazhdec të komunës së Pejës, pas luftës, edhe vrasjet në Lipjan, të disa serbëve në ara duke punuar, gjithmonë këto vrasje kanë ndodhur kur Kosova ka pasur apo ka qenë para ndonjë ngjarje ndërkombëtare me rëndësi që lidhej me Kosovën. Kjo pasi, për vrasjet ua linin fajin shqiptarëve.

Por, se këto vrasje, kanë mundur të jenë planifikuar nga UDB-ja, nuk e mohojnë as ish udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi thotë për Kosovapress se pushtuesi serb në Kosovë ka pasur tre mekanizma me të cilët ka ushtruar represionin në Kosovë. Selimi thotë se këta mekanizma, kanë qenë në fushën e sigurisë, ushtria, policia dhe shërbimi sekret.

“Me përfundimin e luftës ne e dimë që tanket janë tërhequr nga Kosova, ne e dimë që edhe policia është tërhequr nga stacionet policore ku ka pasur, në shumicën e vende të Kosovës, por nuk është tërhequr UDB-ja, pra nuk është tërhequr shërbimi sekret serb, asnjëherë dhe nuk shënon një datë që është tërhequr nga Kosova. Madje, përkundrazi vetëm sa është forcuar duke menduar që ky shërbim sekret serb në Kosovë, do t’i zëvendësoj pak a shumë mungesën e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Vetëm sa është rritur fondi nga ana e Serbisë për këtë shërbim që e kryen UDB-ja, tashmë BIA e Serbisë”, tha Selimi.

Sipas tij, shërbimi sekret serb është gjysmë legal, nëse jo legal, edhe në pjesën veriore, në Zveqan, Leposaviq, Zobun Potok, dhe se nuk do të duhej të pretendonim se është tërhequr nga Kosova.

Selimi shprehet se ka disa raste të veçanta ku pasqyrohen funksionet e UDB-së në Kosovë, duke përfshirë edhe rastet e përmendura tashmë si ai i “Pandas” si dhe rasteve tjera që kanë mbetur enigmatike qoftë para luftës, gjatë luftës apo pas saj.

“Madje, mund të them se shërbimi sekret serb më shumë është i fokusuar jashtë territorit të Serbisë, siç është Kosova, Maqedonia, Bosnja apo vende të tjera, pra ajo me shumë është e fokusuar të përqendrohet jashtë vendeve, dhe deri me tani më së shumti ka qenë e fokusuar kundër shqiptarëve duke vepruar në vendet ku kanë jetuar shqiptarët. Dihet mirë se shqiptarët janë shumicë në Kosovë, janë pjesë dërrmuese në Maqedoni, dhe në vende tjera. Pra, aty ku janë shqiptarët e përqendruar aty është mundur edhe shërbimi sekret serb të jetë i pranishëm duke bërë edhe aktet të cilat jo rrallë herë kanë mbetur të padënueshme, ndërsa, jo rrallë herë edhe të pakuptueshme”, deklaroi Selimi.

Edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi tha për Kosovapress se vrasjet që kanë ndodhur duhet të hetohen dhe të zbulohen saktë se a ka qenë shërbimi sekret serb mbrapa tyre.

“Gjithmonë, Serbia ka përdorë metoda të tilla për një shekull dhe nuk i ka lënë metodat e tilla pa i përdor, sidomos kur ka qenë në pyetje përçarja e shqiptarëve dhe një luftë vëlla vrasje e nxitur nga Serbia. Edhe në të kaluarën edhe tani me metodat e ndryshme përdor Serbia, dhe qëllimi i institucioneve tona duhet të jetë që ato të zbulohen dhe po ashtu të demaskohen politikat serbe”, tha Isufi.

Edhe Isufi mendon se shërbimi sekret serb është ende aktive, sepse në veriun e vendit edhe me tutje ka prezencë e cila është e deklaruar, por sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të punojnë dhe mos të lejojnë prezencën e Serbisë në Kosovë.

Naim Maloku thotë se Kosova do të ketë probleme të tilla, derisa ka Serbia ka pretendime ndaj territoreve shqiptare.

“Absolutisht nuk ka logjikë të mos ketë Serbia brenda territorit të Kosovës bërthama ose celula të shërbimeve sekrete serbe. Kjo nuk do të mungoj kurrë, për sa të është Serbia si shtet, dhe përderisa Serbia ende Kosovën e konsideron dhe do ta konsideroj edhe gjatë si territor të vetin, dhe si territor që përkohësisht nuk e ka nën kontroll, pra gjithmonë Serbia do të ketë celula dhe njerëz të paguar që në njëfarë forme bëjnë luftë në destabilizimin e Kosovës”, thotë Maloku.

Kohëve të fundit përmes mediave, kanë dalë edhe ish anëtarë të UDB-së, të cilët kanë deklaruar se në Kosovë ka edhe në politikë, edhe në institucione punonjës të shërbimeve sekrete serbe.

/Marrë nga Express/