PS: ky 1 maj është i rinisë së papunë, me diplomë në xhep

59

1-maj-A.MaznikuKryetari i Grupit të Punës për Punësimin, në Partinë Socialiste, Arbi Mazniku, në një Deklaratë për mediat, me rastin e 1 majit, theksoi problematikat e punësimit dhe kushtet e rënda të punëtorëve, papunësinë e lartë dhe dështimet qeveritare në këto fusha.

‘’Kjo qeverisje i ka braktisur shqiptarët e thjeshtë që duan të punojnë. 1 maji nuk mund të jetë ditë feste, aty ku nuk ka punësim, aty ku nuk ka punë me dinjitet, aty ku të drejtat e punëtorëve nuk respektohen dhe ku shteti është indiferent ndaj shfrytëzimit të tyre. Sot është 1 maji, dita e të minatorëve të shfrytëzuar barbarisht në Bulqizë, ku 65 minatorë kanë gjetur vdekjen; 1 maji i rinisë të papunë, por me tituj e diploma që nuk u hyjnë në xhep; 1 maji i rinisë të pashkolluar e që endet rrugëve e pashpresë; 1 maji i rrënimit të arsimit e që nuk prodhon punësim, por rini të zhgënjyer dhe analfabetë.’’

‘’Sali Berisha dështoi me punësimin dhe sot numërohen 1 milionë shqiptarë të papunë. Premtoi që do të krijonte 160 mijë vende të reja pune dhe ndërkohë nga vetë shifrat e INSTAT-i i tij provojnë se nga 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës. Sot në 1 Majin e ditës së punës, Sali Berisha i ka shqiptarëve 211mijë vende pune borxh. E nuk mund të ndodhte ndryshe, nën një qeveri qe tjetër flet e tjetër bën. Çdo vit që nga viti 2009, buxheti i ministrisë së punës, për programin e nxitjes së punësimit, ka ardhur ne ulje. Në vitin 2009 nga çdo 100 lek që kishte në buxhet Ministria e Punës shpenzonte për tregun e punës 4.7 lekë. Ndërkohë që sot shpenzon 2.6 lekë, ose plot 55% më pak.’’ 

‘’Të drejtat e punëtorëve shkelen e nëpërkëmben ditën për diell dhe punë nuk do të thotë më dinjitet. Punëtorët shqiptarë punojnë në kushte të vështira, shëndeti dhe jeta e tyre është në çdo çast e rrezikuar. Minatorët dhe punëtorët e ndërtimit humbasin jetën për bukën e gojës dhe qeveria vetëm ngushëllon e bën sehir. Në Shqipërinë e Saliut, në Bulqizën e pasur me minerale, minatorët jetojnë e punojnë si në mesjetë, humbin jetën sepse punojnë në kushte çnjerëzore dhe shfrytëzohen egërsisht të braktisur siç janë nga shteti i tyre. Në Shqipërinë e Sali Berishës krahu i punës, puna e shqiptarëve është e keqpaguar dhe marrëdhënia e punës është e zhdrejtë në favor vetëm të punëdhënësit. Gruaja shqiptare paguhet më pak, është më pak e punësuar dhe më pak e përfaqësuar’’, – ka theksuar Mazniku, në Deklaratën për shtyp.