SHBA: Europa Perëndimore, një laicitet i egër

62
foto ilustruese
foto ilustruese

AFP ka bërë publik një raport amerikan ku theksohet se Europa Perëndimore dhe kryesisht Franca dhe Belgjika shfaqin një agresivitet laik të fortë. Raporti citon shtrëngimet në rritje, të votuara këto vitet e fundit në Europë, për sa i përket shenjave fetare, ritualin e therjes së kafshëve, etj.

Një Komision qeveritar amerikan ka kritikuar të mërkurën, shumë vende në Europën Perëndimore, për një ‘laicitet shumë agresiv’. Në këtë raport, theksohet ndalimi i Burkës në hapësirat publike belge dhe franceze.

Për herë të parë, Komisioni amerikan mbi liritë fetare ndërkombëtare, anëtarët e të cilit janë të emëruar nga presidenti amerikan dhe Kongresi, i kanë kushtuar një kapitull të konsiderueshëm këtij fenomeni, në raportin vjetor, të publikuar të mërkurën, për Europën Perëndimore.

Raporti citon shtrëngesat në rritje, të votuara këto vitet e fundit në Europë, për sa i përket shenjave fetare, ritualin e therjeve të kafshëve, bërjen synet në Gjermani dhe ndërtimin e xhamive në Zvicër.

Shtrëngesat ‘krijojnë një atmosferë shqetësimi kundër disa formave të aktivitetit fetar në Europë, Perëndimore’ shpjegojnë autorët. « Këto shtrëngesa kufizojnë gjithashtu integrimin social dhe mundësitë, për sa i përket edukimit dhe punësimit për individët e prekur ».

Komisioni përmend konkretisht ndalimin e Burkës, që mbulon gjithçka tek femra, të votuar në Belgjikë dhe në Francë. « Kjo ngre shqetësime në terma diskriminues’ – thotë raporti. «  Duke u përpjekur t’i përgjigjemi shqetësimeve mbi dhunën, një ligj i tillë i aplikuar gjerësisht ngre çështje të të drejtave prindërore dhe lirinë e zgjedhjes. »

Raporti shënjestron presidentin francez François Hollande dhe ministrat e tjerë, që kanë thirrur për votë një ligj mbi shenjat fetare në disa vende private, kryesisht strukturat e fëmijërisë së hershme.

« Këto kufizime, limitojnë mundësitë për punë dhe mundësitë ekonomike, veçanërisht për femrat muslumane që mbajnë perçe » përfundon Komisioni. »

Këto janë përfundimet e Komisionit amerikan, por nëse i hedhim një këndvështrim analitik situatës, vërehen përplasje të dukshme të këndvështrimeve kulturore dhe politike midis Amerikës dhe Europës Perëndimore. Vendet e Europës Perëndimore, kryesisht Franca dhe Belgjika, të cilat regjistrojnë në gjirin e tyre një komunitet të konsiderueshëm të emigrantëve të vendeve muslimane, janë të gjendura përballë problematikave si në aspektin e të drejtave të njeriut, në këndvështrimin e ruajtjes së të drejtave të fëmijëve për mos seksualizëm të hershëm të tyre, si po ashtu edhe në lidhje me çështjet e sigurisë publike.

Belgjika ka ndaluar së fundmi, veshjen e Burkës (një çarçaf i zi që mbulon gjithçka nga koka te këmbët, si edhe sytë) në ambientet publike duke ngritur dy pika të rëndësishme, e para për arsye të sigurisë publike dhe identifikim të personave dhe arsyeja e dytë, ka lidhje me respektimin dhe të drejtat e njeriut kundrejt barazisë gjinore, në këtë rast dhunim të të drejtave të grave. Për këndvështrimin kulturor belg, kjo gjë është e papranueshme dhe cenon rëndë lirinë dhe të drejtat bazike të femrave. Në  një vend ku femra trajtohet njësoj me të drejta si edhe meshkujt, ky fenomen, shkel parimet bazë demokratike duke i dhunuar tërësisht ato.

Një tjetër problematikë e cila është trajtuar dhe nga analistë të ndryshëm,  ka të bëjë me faktin se fëmijëve të vegjël të gjinisë femërore (5-6 vjeç u vihet perçja duke i seksualizuar para kohe ato dhe duke dhunuar rëndë të drejtat e tyre).

Këto komunitete shpeshherë janë mbrojtur dhe kanë protestuar në këto vende të Europës Perëndimore, për respektim të të drejtave njerëzore dhe fetare, duke përdorur si logjikë, kushtetutën e këtyre vendeve, por ato nuk kanë marrë në konsideratë për analizë faktin, se kushtetuta e këtyre vendeve, krahas lirive fetare, mbron pikërisht barazinë gjinore, pra liritë e femrës.

Nga ana tjetër, nëse një femër europiane shkon në këto vende muslumane ku femrat nuk kanë të drejtë të shfaqin fytyrën e tyre në asnjë ambient publik, ajo përfundon duke veshur çarçafët për të shpëtuar si nga ndjekja ligjore, po ashtu dhe përndjekja sociale. Analistët e Francës dhe Belgjikës kanë trajtuar publikisht idenë se, nuk mund të përdoret kushtetuta e tyre demokratike dhe emancipuese, për ti hapur hapësirën abuzimeve mbi të drejtat e njeriut dhe kryesisht abuzimeve, përballë gjinisë femërore.

Për demokracinë e këtyre vendeve kjo është e patolerueshme, sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një liri private fetare, por kemi të bëjmë me një dhunim të të drejtave njerëzore pasi këto gra në vendin e tyre nuk kanë asnjë të drejtë baze, për sa i përket këndvështrimit legjislativ dhe Burkat e tyre janë simbol i diskriminimit dhe shtypjes së lirive femërore./en.ko/