Berisha: qeveria e interesuar të zhvillojë artizanatin

59

May-1-16-16-54foto1Kryeministri zgjodhi sot të ndalej në një biznes të vogël artizanal, të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse, drejtuese e menaxhere, të cilat me shumë kurajë e vendosmëri ia kanë dalë të jenë të suksesshme në sipërmarrjet  e tyre.

 “Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë  të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve.”  iu drejtua kryeministri grave dhe vajzave të punësuara aty, teksa pa nga afër punimet artistike të bëra me dorë nga këto punonjëse. Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë  e tyre.

Kryeministri dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim  me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme.

Kryeministri tha se turizmi  e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, kryeministri propozoi që në qytetet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.

Duke i falënderuar gratë dhe vajzat për mikëpritjen, si dhe për talentin e treguar në punimet e tyre artistike, kryeministri u shpreh:

Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë  të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve. Puna artizanale që bëni ka gjithnjë vlerën e jashtëzakonshme të punës artistike dhe unë dua tu rrëfej një moment këtu. Unë kam kaluar kohëra në vende shumë të zhvilluara, si psh. kam kaluar kohë në Francë dhe në vende të tjera, por dua tu garantoj se punë të tilla kudo kanë vlerësimin më të madh, kudo tregohen me krenari të veçantë, kudo preferohen si një gjë e veçantë dhe shumë e bukur. Në asgjë më bukur, një komb dhe një popull, sesa në punën e dorës, sesa në artizanat , nuk shpreh trashëgiminë e tij gjeniale, kulturore, artistike. Në çdo motiv të qëndismave tuaja, të qilimave, të sixhadeve shprehet ajo trashëgimi artistike që është përcjellë breza pas brezi dhe që pasurohet edhe më shumë.

Unë jam dakord me ju kur thatë se ky është një biznes i vogël, por me rëndësi të madhe. Unë jam kryeministër dhe jam këtu së bashku me ministrin e financave. Ne na intereson shumë ta nxisim dhe ta inkurajojmë këtë sektor. Ne duam të dimë se çfarë duhet të bëjmë më shumë për ju, në mënyrë të zhvillojmë këtë sektor, në mënyrë që të punësojmë më shumë, të krijojmë më shumë të ardhura. Qeveria është shumë e vendosur të përparësojë artizanatin në të gjitha degët e tij, ndaj dhe unë do të doja të dija nga ju se çfarë duhet të bëjmë ne më shumë që ky sektor i rëndësishëm me potencial të madh punësimi, por njëkohësisht një sektor që shpalos gjeninë krijuese të kombit ka gjithnjë rendësi shumë të madhe’’,- thuhet në njoftimin për shtyp të selisë kryeministrore.