PS: Berisha në ikje, po nxjerr në shitje Monumentet e Kulturës

76

auron-tare-281x200Partia Socialiste në një Konferencë për shtyp, përmes deputetit të saj Auron Tare denoncoi nxjerrjen në treg të Monumenteve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare. PS, ritheksoi edhe njëherë akuzat për Berishën, për shitje të çdo pasurie shpirtërore të shqiptarëve, në momentet e fundit të ikjes së tij.

Ky kryeministër në ikje dështoi me trashëgiminë kulturore dhe në tetë vitet e qeverisjes së tij as nuk janë ruajtur pasuritë tona kulturore e natyrore, por përkundrazi, gjithshka është bërë për t’i rrënuar e shkatërruar ato. Dje qeveria e rrënimit, nëpërmjet Ministrit të Kulturës, vendosi të nxjerrë në treg edhe Monumentet e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare.

Kjo përpjekje e kahershme për dhënien me qera të pasurive shpirtërore të shqiptareve përkon tashmë me ikjen nga pushtetit të partisë familjare të Berishës. Pasi shiti çdo pasuri natyrore, pasi dha çdo kodër për fabrika çimentosh dhe gurore; Pasi shiti çdo pyll për qymyr; Pasi dha me koncesion çdo lum për hidrocentrale, sot Sali Berisha po shet edhe Monumentet e Kulturës Kombëtare”,- deklaroi deputeti Tare.

Për këto 8 vjet të qeverisjes së Sali Berishës, Fondi i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare ka njohur një bjerrje të paprecedent duke i zhdukur kulturës sonë një numër të madh monumentesh dhe qendrash historike. Mjafton t’i hedhim sytë nga qyteti i Krujës, i cili sot po shkatërrohet me ritme galopante duke zhdukur një herë e mirë qendrën e pelegrinazhit kombëtar të shqiptarëve. Ky akt i kryer vetëm një muaj para ikjes nga pushtetit të qeverisë së Berishës, kërkon t’u japë klientëve të Familjes edhe vlerat e fundit të pasurive kombëtare. Ashtu siç ju ka dhënë deri më tani të gjitha fondet e buxhetit për restaurime të paqena. Partia Socialiste ju bën thirrje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të Qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me Monumentet Kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë Marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të Trashëgimisë Kulturore. Ne nuk do t’i njohim askujt,  asnjë koncesion, qera marrje apo forme tjetër ndaj Monumenteve të Kulturës’’,- përfundoi deklaratën në emër të PS-së deputeti Auron Tare./al.bl/