PS: Berisha ka marrë peng sistemin e drejtësisë

61

Vasilika HysiDeputetja e Partisë Socialiste Vasilika Hysi, ka denoncuar publikisht marrjen peng të sistemit të drejtësisë nga Kryeministri në pushtet, Berisha. Ajo ka insistuar mbi pikat më problematike në sistem, siç janë korrupsioni, nënshtrimi ndaj politikës, mungesa e profesionalizmit dhe e transparencës.

’Kritika të ashpra i adresohen kësaj qeverie për çështjen e drejtësisë nga shoqëria civile, faktorët politikë e shoqërorë në vend dhe veçanërisht në mënyrë të përsëritur edhe nga partnerët ndërkombëtar, përfshirë këtu dhe vet Komisionin Europian. Por kjo qeveri dhe ky kryeministër vazhdon të heshtë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Shqipëria në NATO është, sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, një vend me korrupsion të kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes dhe sidomos, një vend me sistemin e drejtësisë të korruptuar tërësisht. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit në duart e partisë në pushtet ka dhunuar pavarësinë e institucioneve të vendit, ka dhunuar drejtësinë’’, – ka theksuar Hysi.

Ajo ka nënëvizuar edhe faktin se gjyqësori është shndërruar në një aneks të kuzhinës së punëve të pista të Berishës, duke prekur gjykatat më të larta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

’Presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur ka bërë që sot pushteti gjyqësor të jetë shumë larg të qenurit i pavarur, duke e kthyer në një aneks të kuzhinës të punëve të pista të Sali Berishës. Një goditje e rëndë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë ka ardhur dhe si pasojë e politizimit të emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Pushteti ekzekutiv dhe segmente të caktuara të politikës të lidhura me interesa korruptive ndikojnë shpesh në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe pjesës tjetër të sistemit të drejtësisë. Institucionet drejtuese e kontrolluese të sistemit të drejtësisë i janë nënshtruar frymës klienteliste dhe presionit të interesave të pushtetit. Shqiptarët janë dëshmitarë të faktit që Sali Berisha ka marrë peng sistemin e drejtësisë në këto 8 vite sepse qeveria e tij nuk kanë qenë aty për të bërë reforma reale, për të zbatuar ligjin e për të ndëshkuar korrupsionin. Përkundrazi, ata e kanë përdorur pushtetin për ta nënshtruar e marrë peng gjyqësorin duke mbjellur kulturën e pandëshkueshmërisë’’– tha Hysi.

Hysi ka denoncuar dhe mungesën profesionale të shoqëruar me korrupsion të cilat kanë sjellë një realitet të hidhur, atë të zvarritjeve të proceseve gjyqësore përtej limiteve ligjore, duke i shndërruar në procese absurde.

‘’Korrupsioni në gjyqësor është kanceri që po e gërryen sistemin. Gjyqet zvarriten dhe sepse proceset janë preh e korrupsionit dhe paaftësisë që është prezente në jo pak gjykata dhe gjyqtarë. Shqiptarët janë dëshmitarë sesi kjo drejtësi e korruptuar zvarriti pa fund gjyqin e Gërdecit! Shqiptarët e kanë akoma shijen e hidhur nga vendimi absurd i gjykatës së Tiranës për 21 janarin’’,- deklaroi Hysi./al.bl/