PS: 28.5% të kontingjentit të punëtorëve janë fëmijë

57

eglantina-gjermeniNë një Konferencë për shtyp, Partia Socialiste përmes deputetes socialiste Eglantina Gjermeni, akuzoi Kryeministrin Berisha, se ka dështuar me punësimin, luftën ndaj varfërisë dhe me politikat për mbrojtjen e fëmijve. PS deklaroi se në Shqipëri pavarësisht, se puna e fëmijëve është e ndaluar me ligj, fëmijët përbëjnë 28.5% të kontingjentit të punëtorëve të mitur.

’Berisha dështoi me politikat sociale për familjen dhe fëmijët, sepse dështoi me punësimin, dështoi me luftën kundër varfërisë, dështoi me politikat në mbrojtje të fëmijëve, sepse sot fëmijët shqiptarë  janë më të varfër, më të pambrojtur, më të  dhunuar. Një në katër fëmijë në Shqipëri është i varfër. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta e tyre përfitojnë shërbime përkujdesjeje. Në familjet që janë në varfëri dhe trajtohen me ndihmë ekonomike, jetojnë rreth 160 mijë fëmijë. Ndërkohë që 25 % e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri, çka do të thotë që ata janë të paushqyer, janë shëndetligë, nuk e kanë luksin për jetë normale fëminore, dhe s’kanë akses në arsim e shërbime’’– theksoi Gjermeni.

PS deklaroi, se një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve janë në pamundësi të ndjekin shkollën, nuk janë të rregistruar në gjendjen civile dhe janë shumë larg kushteve të ofrimit të shërbimeve në lidhje me standartet e zhvillimit normal të fëmijëve.

’54,3% e fëmijëve të varfër në grupmoshën nga 6-18 vjeç nuk e ndjekin shkollën, sepse nuk përballojnë dot shpenzimet, kjo nuk është një akuzë për qeverisjen që vjen nga opozita, por nga studimi i UNICEF. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të regjistruar në gjendjen civile, çka do të thotë që ata nuk arsimohen e nuk përfitojnë nga asnjë shërbim e asnjë skeme ndihme. Edhe ato pak Shërbime që ofrohen sot, plotësojnë vetëm më pak se gjysmën e nevojave të fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve për kujdes shëndetësor, mbrojtje shoqërore, arsim e zhvillim janë larg kushteve dhe standardeve të zhvillimit normal të fëmijëve. Qeveria shqiptare dështoi në luftën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka thuajse asnjë lloj shërbimi social shtetëror për të ndihmuar fëmijët viktima të dhunës’’ deklaroi Gjermeni.

PS denoncoi dhe faktin, se megjithëse puna është e ndaluar me ligj për fëmijët në Shqipëri, ato përbëjnë 28% të kontigjentit të punëtorëve të mitur.

‘’Instituti i Statistikës, INSTAT, raporton se në Shqipërinë e sotme  54 mijë fëmijë të moshës 5-17 vjeç,  pra 7.7 për qind e fëmijëve shqiptarë, janë fëmijë punëtorë. Këta fëmijë janë të punësuar në miniera, në ndërtim, punojnë në kushte çnjerëzore dhe për pak qindarka, me të cilat u duhet të përballojnë jetesën apo u duhet të kontribuojnë në buxhetet e urisë të familjeve të rrënuara në këto 8 vite. Këta fëmijë janë të braktisur, rrezikojnë jetën ditën për diell, rrezikojnë shëndetin, dëmtohen, sëmuren dhe sikur të ishin skllevër shfrytëzohen në indiferencën dhe heshtjen absolute të shtetit të tyre. Pavarësisht, se në Shqipëri puna e fëmijëve është  ndaluar me ligj, fëmijët në Shqipërinë e Sali Berishës përbëjnë 28.5% të kontingjentit të punëtorëve të mitur. Historia e shfrytëzimit skllavërues të punës së fëmijëve është bërë tashmë fenomen tek ne, edhe akoma më keq në sipërmarrje të mbikëqyrura nga shteti si në Gërdec ku katastrofa i kaloi kufijtë e dhimbjes’’,- përfundon deklarata e PS-së. /al.bl/