Protesta e Drejtuesve të Furgonave do të vijojë

54

furgonatProtesta e drejtuesve të furgonave taksi 8+1 lidhur me vendimin e qeverisë për të ndaluar kthimin e tyre me pasagjer e cila solli bllokimin e disa akseve kryesore javën e shkuar pritet të vijoi edhe në javën e ardhëshme.
Sipas Kreut të Bashkimit të Sindikatave Gëzim Kalaja shoferët në protestën e radhës do të vijnë jo më me furgona por të mbështetur nga familjet e tyre.
“Parlamenti të zgjidhë problemin, e kanë për detyrë të na takojnë. Ditën e hënë do jepen udhëzimet për protestën tjetër, të mërkurë ose të enjten do zhvillohet. Në mënyrë paqësore ashtu si sot, se dhunë ushtroi policia, të shpërndahemi për të shkuar tek familjet. Në protestën e ardhshme nuk do vini me furgona, por me familjet, me studentët me qytetarët përpara parlamentit”, tha ai.
Duke i bërë thirrje kryeministrit Rama të reflektojë, Kalaja tha se protesta e tyre e radhës do përkojë me një nga ditët e vizitës së dy personaliteteve në vendin tonë, atë të presidentit italian Georgio Napoletano ose atë të komisionarit Stefan Fyle.

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto:

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi të premten se qeveria është e vendosur për të zbatuar ligjin, i cili parashikon që furgonat 8+1 të punojnë vetëm si taksi dhe jo si shërbim ndërurban. Gjatë një deklaratë për shtyp, Haxhinasto komentoi edhe praninë e deputetëve të opozitës në protestë. Sipas tij, deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe duhet të jenë të parët që duhet të zbatojnë ligjin. Nëse ata mendojnë, vijoi Haxhinasto, se ky ligj nuk qëndron, deputetët duhet të paraqesin amendimet e tyre. “Deputetët e opozitës nuk janë aty për asnjë arsye tjetër, përveçse për të politizuar dhe përdorur protestën e tyre për qëllime polike në gjykimin tonë”, deklaroi Haxhinasto.
Lidhur me protestën e drejtuesve të furgonave 8+1, Haxhinasto tha se qeveria është e vendosur për të zbatuar ligjin. “Ky është një detyrim ndaj qytetarëve dhe atyre që kanë humbur jetën në aksidente tragjike”, deklaroi Haxhinasto, duke theksuar se qeveria nuk po fshihet pas problemit.
Detyra jonë, vijoi ai, është të zgjidhim problemin dhe t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve, t’u japim atyre standarde të larta sigurie dhe mirëqenie.
Sipas tij, nëse ata kanë licence për taksi dhe ndërkohë punojnë si transport ndërurban, diskriminohen 5500 pronarë të transportit ndërurban që janë të licencuar. “Nëse ata kërkojnë të punojnë në këtë transport, le të plotësojnë dokumentacionin dhe standardet për të punuar si transportues ndërurban. Drejtues të furgonave 8+1 protestuan sot ndaj vendimit të qeverisë për të eliminuar transportin ndërurban me furgonat 8+1

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Protesta jo politke:

Kryetari PD-së, Lulzim Basha, theksoi të shtunën në forumin e Tiranës për lirinë ekonomike, se “protesta e taksive 8+1 nuk ishte një protestë politike, por për shkak të rrënimit të tyre ekonomik. Greva e furgonave ka tendencë të kthehet në lojëra fajësimi, por janë 20 mijë sipërmarrës të vegjël, mijëra të papunë. Kjo është arsyeja që po nxit frymën e protestës”. Basha tha se”protestuesit nuk kanë synim politik, por vetjak, ata janë aty për bukën e gojës, janë aty se ekonomia po rrënohet”
Sipas Bashës, një qeveri liberale s’do operonte kështu me sipërmarrësit. “Qeveria ka vënë nën kontroll INSTAT, po manipulohen të dhënat, 22% e biznesit të vogël mund të largohet nga Shqipëria, 72 % e biznesit të madh parashikon rritje taksash, ne ia dolëm me taksën e sheshtë të ulim inflacionin. Këto janë arsye që po nxisin frymën e protestës”, theksoi Basha

Zv/Ministri i Transporteve, Ylli Manjani:

Do të vijojë me zbatimin e ligjit për transportet, i cili saktëson ndarjen mes shërbimit taksi dhe atij publik. Vendosmëria e këtij institucioni vjen edhe nga zv/Ministri Ylli Manjani ku bëri të qartë sot se “licencën drejtuesit e furgonave e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 thotë ndalohet shërbimi taksi i udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrime që ka neni 37 i ligjit për transporte”.

Duke e konsideruar të politizuar protestën e një dite më parë të automjeteve 8 plus 1 që kulmoi me bllokimin e rrugëve hyrëse e dalëse në kryeqytet, Manjani thekson se “asnjë kërkesë nuk duket e pranueshme që të cenojë standardin, taksia të bëjë punën e vet, autobusi të bëjë punën e vet. Të dy, duhet të punojnë në mënyrë të ndershme”.
Sipas tij një prej alternativave për automjetet 8 plus 1 mund të jetë akomodimin në akset rrugore që nuk mund të përshkohen nga autobusët.“Kemi hedhur idenë dhe jemi gati ta bëjmë që shërbimi taksi i furgonave 8+1 mund të shtrihet jo vetëm brenda juridiksionit të Bashkisë, por brenda qarkut”, tha Manjani.

Ambasadori i delegacionit të BE-së, Etore Sequi, gjatë një takimi për sigurinë rrugore u shpreh se:

Ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, u shpreh se Bashkimi Evropian vlerëson ambicien e qeverisë dhe ministrisë për të vënë në prioritet dhe agjendë një ndër problemet e Shqipërisë. “Këmbësorët janë ata që preken nga aksidentet. Numri i aksidenteve rrugore është shumë i lartë. BE do të asistojë qeverinë dhe të gjitha masat për sigurinë. Duhet të kuptojmë se siguria dhe promovimi i saj janë qasje mendore, e si të tilla duhen kuptuar”-tha ambasadori Sequi.