![Presidenti Slloven Borut Pahor/foto PE](http://albaniaplus.com/data/uploads/2013/06/20130611PHT11528_original-300x200.jpg)
![Presidenti Slloven Borut Pahor/foto PE](https://albaniaplus.com/wp-content/plugins/wp-fastest-cache-premium/pro/images/blank.gif)
Presidenti Slloven Pahor, në fjalimin e mbajtur dje para Parlamentit Europian, ka prezantuar vizionin e tij për të ardhmen e Europës. Pahor ka vlerësuar, se Europës i nevojitet një Kushtetutë e re, në emër të mbrojtjes së paqes, për të ruajtur mirëqenien e qytetarëve evropianë dhe për të përballuar krizën aktuale. Pahor ka parashtruar idenë e një projekti të ri kushtetues, që mund t’i nënshtrohet një referendumi për të qenë legjitim.
Presidenti Slloven ka deklaruar përpara eurodeputetëve, se shumë shpejt Traktati i Lisbonës do të jetë i pamjaftueshëm, për të mbrojtur interesat e qytetarëve, që ato përfaqësojnë. Ai theksoi se BE nuk është në të njëjtat kushte, si fuqitë e tjera të mëdha në përballjen e krizës, për sa i përket institucioneve dhe mjeteve në zotërim. Ai hodhi idenë, se një bashkëpunim do të garantonte paqen, si bazë të mirëqenies. Në këtë kuadër ai vlerësoi, se një thellim i integrimit evropian është më se i nevojshëm, duke gjykuar se momenti më i mirë për fillimin e punimeve mbi këtë kuadër, do të ishte pas zgjedhjeve elektorale të vitit të ardhshëm.
Presidenti i PE-së Martin Schulz, deklaroi gjithashtu se idetë e prezantuara nga Presidenti Slloven mund të shkaktojnë reagime, por ai vlerësoi se, Parlamenti është një vend i nevojshëm ku vendimet mund të merren nëpërmjet dialogimit.
Rifutja në skenë e një debati mbi nevojshmërinë e krijimit të një Kushtetute Europiane, nuk është e shkëputur nga idetë e hedhura mbi një integrim të thelluar të Unionit Europian. Deklarimet e Kancelares gjermane Merkel, për një Union të thelluar politik, janë në të njëjtën vijë logjike me rekomandimet e analistëve të ndryshëm për daljen e unionit nga kriza dhe për një stabilitet të mëtejshëm.