Survejimi Amerikan revolton PE-në

22
foto ilustruese
foto ilustruese

Zbulimi i ekzistencës së projektit të survejimit Amerikan, nëpërmjet programit ‘Prism’, ka shkaktuar reagime  të forta në Parlamentin Europian. Implikimet për jetën private, ruajtjen e të dhënave dhe bashkëpunimi i sigurisë ka qenë në fokus të polemikave. Besimi përballë partnerëve amerikane është tronditur dhe pritet të reflektohet edhe në Marrëveshjet e ardhshme dypalëshe, SHBA-BE. 

Denoncimi publik i Edward Snowden, mbi përgjimin masiv elektronik amerikan, ka shkaktuar tronditje diplomatike, që kanë prekur edhe Parlamentin Europian. Baza ligjore është FISAA (Foreign Intelligence Surveillance Amendment Act) dhe është adoptuar për herë të parë më 2008, nën qeverinë Bush dhe me pas është miratuar edhe për 5 vjet të tjerë, më 29 dhjetor 2012. Ky kornizë ligjore përcakton kuadrin e survejimit numerik të qytetarëve amerikanë dhe jo amerikanë. Neni 1881a autorizon de facto,  në kuadrin e Politikës së Jashtme të vendit, një survejim në masë të  personave, që jetojnë jashtë SHBA-së dhe që nuk kanë kombësi amerikane.

Çka do të thotë, se të gjithë të huajt, jashtë territorit amerikan mund të jenë objekt i një survejimi politik, që vjen nga përtej Atlantikut. Dhe ky survejim mund të bëhet në veçanti përmes infrastrukturës  të furnizuesve amerikanë si Google, Microsoft, Amazon, Apple, Dropbox, Facebook, PalTalk, Skype, AOL, etj. Investigimet e kryera nga ‘Wired’, kishin zbuluar ndërtimin e një baze të dhënash gjigande në Utah, nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar. Kjo bazë do të jetë e fuqishme për grumbullimin e miliarda të dhënave në rrugë elektronike. 

Edward Snowden
Edward Snowden

Edward Snowden, i cili ka arritur të ketë akses në dokumentet Top Secret të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar Amerikan, ka deklaruar: 

Edhe pse ju nuk po bëni asgjë të keqe, ju jeni duke u vëzhguar dhe regjistruar dhe kapaciteti i stokimit të të dhënave në sistem rritet çdo vit. Edhe pse ju s’mund të keni bërë asgjë të keqe, mjafton vetëm që ju të ngjallni një dyshim eventual, qoftë edhe nëpërmjet një telefonate të gabuar dhe ato mund të përdorin sistemin, për të kontrolluar gjithçka dhe vëzhguar çdo vendim, që ju keni marrë, të gjithë miqtë me të cilët ju keni diskutuar diçka të veçantë dhe ato mund t’ju sulmojnë ju, mbi këtë bazë të derivuar të dyshimit. Nga një jetë e pafajshme, mund të transformojmë këdo, në një person keqbërës”. 

Debatet në PE, kanë qenë të forta dhe shumë eurodeputetë janë prononcuar të indinjuar në lidhje me këto akte. Komisioneri Tonio Borg, i ngarkuar për çështjet e Shëndetit dhe Politikën e Konsumatorëve, në emër të Komisionit Europian ka deklaruar, se programe të tilla si ‘Prism’ vënë potencialisht në rrezik të drejtën themelore për jetë private dhe ruajtjen e të dhënave të qytetarëve evropianë. Ai shtoi gjithashtu, se Komisioni Europian do të ngrejë këtë çështje për diskutim gjatë mbledhjes ministeriale BE-SHBA, që do të mbahet të premten në Dublin, duke nënvizuar se, në një demokraci, organizmat e aplikimit të ligjit duhet të ndjekin rregullat.

Reagimet të forta ka pasur edhe nga grupet politike në PE:

Të dhënat e mia, më përkasin mua, kjo është pika kyçe e mendimit europian mbi ruajtjen e të dhënave”- ka deklaruar deputeti demokrat kristian gjerman Manfred Weber, Zv. President i PPE. “ Edhe pse është totalisht e papranueshme që SHBA të ketë ligje të ndryshme për qytetarët amerikanë dhe për qytetarët e vendeve të tjera…”- ka shtuar ai.

Deputeti demokrat, socialist britanik Claude Moraes, ka folur për një “dhunim madhor të besimit, jo konform ligjit mbi ruajtjen e të dhënave në Bashkimin Europian”, duke paralajmëruar se,  “ekuilibri vital midis sigurisë dhe nevojës për ruajtjen e të dhënave duhet të garantohet”. “Besimi qartësisht është thyer. Ne duhet të garantojmë që trajtimi i të dhënave të qytetarëve europianë nga autoritetet publike amerikane të bëhet sipas normave tona”,-ka shtuar ai.

Ne po zhgënjejmë qytetarët europianë dhe duhet të na vijë turp”,-  ka deklaruar deputetja demokrate liberale flamande, Sophie In’t Veld. “Obama i deklaroi qytetarëve të tij : Mos u shqetësoni, ne nuk ju spiunojmë si qytetarë, ne spiunojmë vetëm të huajt”, por të huajt, jemi ne. Ç’lloj marrëdhënie specifike është kjo”, – shtoi ajo.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ruajtjen e të dhënave, por gjithashtu për demokracinë dhe primovimin e së drejtës, që nuk mund të jetë konform me survejimin masiv të qytetarëve përreth botës”,- deklaroi deputeti i gjelbërt Jan Philipp Albrecht, i ngarkuar për raportim mbi legjislacionin e ri të ruajtjes së të dhënave.

Iniciativat e denoncuara deri më tani kanë mohuar, se kanë vepruar përtej kuadrit ligjor….gjithsesi, ne jemi këtu duke na u drejtuar gishti, disa prej jush duke mbajtur një fjalim antiamerikan apo anti-Komision “- deklaroi deputeti anglez Timothy Kirkhope, anëtar i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Europian.

Deputeti sllovak Jaroslav Paska, anëtar i grupit Europë, Liri, Demokraci, shpjegon : “Ne duhet të adoptojmë të njëjtat sanksione kundër këtyre iniciativave, si ato që aplikojmë ndaj akteve të tjera, që dhunojnë ligjet. Sjellja paranojake e partnerëve tanë amerikan është e papëlqyeshme”.

Deputeti francez Marie-Christine Vergiat, anëtar i grupit Konfederal të së Majtës Unitare europiane dhe së majtës së gjelbër nordike, shpjegoi, se dyshimi kryesor është se “qytetarët europianë nuk përfitojnë nga të njëjta të drejta, si qytetarët amerikanë”.

Megjithë tronditjen që ka shkaktuar lëvizja e palës amerikane, disa eurodeputetë mendojnë, se disa qeveri mund të jenë bashkëpunëtore dhe thonë, se kjo mund të influencojë së shpejti në Marrëveshjen Tregtare dhe të Investimit, që pritet të realizohet midis SHBA-së dhe BE-së.