Gjatë takimit u bisedua për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse të Raportit Përfundimtar të Misionit OSBE/ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, si edhe për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, bazuar në zbatimin e këtyre rekomandimeve.
Në këtë frymë, Presidenti Nishani, pasi shprehu vlerësimin për rolin e shkëlqyer të Misionit të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve të fundit, vuri në dukje se zgjedhjet e fundit tejkaluan shumë nga problemet e shfaqura në të shkuarën dhe vendosën, në këtë mënyrë, standarde të larta, që, gjithsesi duhen avancuar duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Nga ana e saj, zj. McCormack, duke u shprehur dakord me Presidentin, nënvizoi se standardet avancohen në mënyrë të vazhdueshme përmes bashkëpunimit të të gjitha forcave politike me organizatat vendase dhe ndërkombëtare, dhe kjo përbën një komponent të rëndësishme të reformës zgjedhore.
Presidenti shprehu gjithashtu besimin se klasa politike dhe shoqëria shqiptare, të cilat demonstruan pjekuri gjatë fushatës, në njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe tranzicionin e pushteteve, do të kalojnë me sukses edhe sfida të tjera që lidhen me përmirësimin e standardeve.