Për gjyqtarët dhe politikanët që nuk kërkojnë viza

65

Mero-BazeMero Baze
Lajmi se ambasada e SHBA ka një listë konfidenciale që e përdor për të ndaluar udhëtimin drejt SHBA të gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar, ka bërë shumë zhurmë në mjediset politike dhe shtypin e Tiranës, dhe ka përfshirë në debat dhe autoritetet e larta të drejtësisë në Shqipëri.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, janë shprehur të gatshëm të veprojnë kundër atyre që janë në listë, nëse ambasada ua dërgon atyre zyrtarisht, duke e bërë kështu sa tragjike, dhe komike situatën e drejtësisë në Shqipëri.
Gjyqtarët e korruptuar, të cilët ambasada ka kohë që nuk u jep viza dhe do të vazhdojë të mos u japë, janë duke u ndëshkuar nga një standard amerikan i antikorrupsionit dhe jo nga një standard shqiptar.
Standardi amerikan është i tillë që kur një nëpunës publik, apo zyrtar i lartë i drejtësisë, mendohet se ka përvetësuar para publike, nuk preferohet të udhëtojë në vendin e tyre. Por ky është standard i tyre, dhe kur ambasadori Lu e bën publik vetëm si gjest, është duke thënë, se e dimë kush jeni.
Por autoritet tona, as kanë pse presin me kuriozitet kush janë gjyqtarët që u refuzohet viza, as kush janë politikanët që nuk udhëtojnë dot në SHBA.
Refuzimi i një vize nuk mund të kthehet në dëshmi penaliteti për arsyen e thjeshtë, se pas këtij njoftimi askush që ka problem me korrupsionin, nuk rrezikon të shkojë të kërkojë vizë, dhe kjo nuk i bën ata automatikisht të pastër.
Të korruptuarit shqiptarë të sistemit të drejtësisë dhe politikës, duhet të filtrohen dhe etiketohen si të tillë, nga sistemi ynë, nga institucionet tona dhe nga standardet tona. Ndihma e SHBA në këtë rast është fantastike, por ajo është e kufizuar nga dëshira që kanë të korruptuarit për të aplikuar për vizë amerikane.
Por, dhe nëse do t’i detyronin t’i çonim për viza gjithë gjyqtarët, ambasada amerikane jo për të gjithë ka mundësinë të jetë e qartë kush janë. Ajo ka evidentuar ata më problematikët, ata që janë bërë target i shtypit dhe politikës, por jam i sigurt se nuk i njeh dhjetëra të tjerë, që s’u ka dalë zëri asgjëkund, por kanë bërë kërdinë.
Për më tepër, pas gjithë kësaj buje që bëri kjo deklaratë, nuk kemi shanse të kemi më refuzim vizash, pasi nuk do të ketë aplikime për ambasadën amerikane.
Biles tani për të bërë humor, ndonjë zyrtari është më mirë t’i kërkosh aplikimin për vizë në ambasadën e SHBA, se sa dëshminë e penalitetit.
Po përtej humorit, Shqipëria ka nevojë të bëhet serioze në evidentimin e të korruptuarve të saj, përmes standardeve të forta që duhet t’i ngrejë vetë. Ministri i Drejtësisë apo kryetari i Gjykatës së Lartë, nuk duhet të presin nga zyra konsullore e ambasadës së SHBA ndonjë refuzim vize, për të kuptuar se kush është i korruptuar.
Reforma në drejtësi ka përballë pikërisht këtë sfidë. Ajo nuk është e nevojshme të shpallë një listë armiqsh, por të vendosë një standard ku askush të mos shpëtojë pa kaluar përmes një filtri, që i lë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët milionerë, por dhe politikanët që nuk dinë ku të fshehin paratë.
Këtu problem nuk janë ata që kanë aplikuar për vizë, por ata që janë bërë milionerë dhe në mos i harxhofshin paratë në Manhatan, mund t’i harxhojnë në “Play Del Esta” në Kubë, apo plazhet e Tajlandës, dhe prapë të jenë të lumtur.
Veprimet e ambasadës amerikane janë gjeste politike dhe ato më shumë se sa për të korruptuarit në drejtësi dhe politikë, do të vlenin të ishin të adresuara ndaj politikanëve që ata konsiderojnë se po minojnë interesat e SHBA në Shqipëri.
Për ata janë të lirë të flasin me emra dhe me këtë rast, të testojnë nëse shqiptarët do t’i mbështesin apo jo. Se kjo puna e vizave nuk mban shumë, pasi kush është nxituar dhe ka aplikuar është djegur, por problem janë ata që e mësuan dhe nuk aplikojnë kurrë.