Fatos Baxhaku
Tashmë është thuajse e pranuar prej të gjithëve se fusha në të cilën operojmë, pra gazetaria dhe në tërësi bota e mediave është një sferë shoqërore gati-gati më vete, nga më të rëndësishmet e shoqërisë. Vetëm se kjo sferë është disi e ngatërruar dhe e çrregullt, ajo jeton dhe shumë herë edhe mbijeton vetëm si bashkësi e ndërfutur me bashkësi simotra të tjera. Ne bashkëjetojmë me ekonominë jo vetëm sepse lajmi ekonomik dhe informacioni ekonomik, që ne raportojmë, është me rëndësi të dorës së parë për krejt jetën e shoqërisë, porse dhe sepse ne vetë përbëjmë një aktivitet ekonomik më vete. Në bashkëjetojmë me politikën, jo vetëm si përçues të qëndrimeve e premtimeve politike, apo preferencave zgjedhore, por edhe sepse shumë gazeta, televizione, radio, rrjete sociale janë shprehës direkt të vullnetit politik të njërës apo tjetrës parti. Mediat janë gjithashtu në një farë kuptimi edhe edukatorë e mësues, ato përçojnë qëndrime morale dhe etike, informacione kulturore, kultivojnë shije dhe zbavitin. Pra ne na duhet të bashkëjetojmë gjerësisht edhe me kulturën.
Duke qenë se vërtitemi në një sferë të tillë të ngatërruar edhe figura e gazetarit është disi ndryshe nga ajo e profesionistëve të fushave të tjera, ku objekti i punës është më i qartë, orari më i fiksuar dhe jeta më e rregullt. Ka qenë kështu në periudhën parainternet dhe besoj se kështu është edhe në periudhën pasinternet, veçse në kohët që jetojmë kanë ndodhur ndryshime të qenësishme në raportet e reporterit me veten, dhe në marrëdhëniet e tij me profesionin dhe pra edhe me publikun.
Që të mund të kuptojmë ndryshimet, në pak minuta, do të mundohem që të kujtoj veten dhe kolegët e mi përgjatë punës këtu e 20 vjet më parë. Do të përqendrohem kryesisht në shtypin e shkruar, fushë që e kam më për zemër dhe ku kam punuar më gjatë. Asokohe, pra bëhet fjalë pas vitit 1992 e më tej, në fushën mediatike në Shqipëri ndodhi një hop i madh. U kalua brenda një kohe relativisht të shkurtër nga mbretërimi i propagandës në mbretërinë e lajmit, hapi i parë i madh i krijimit të një shtypi kombëtar me të vërtetë modern. Njerëzit që e bënë këtë, pra gazetarët e asaj kohe, nuk ishin të gjithë njerëz që në të ritë e tyre kishin ëndërruar të bëheshin gazetarë apo reporterë të famshëm si ata që kishin parë ndër filma. Duke qenë se asokohe ende nuk kishte filluar shkollimi profesional i gazetarëve, pjesa më e madhe e tyre vinin nga profesione të tjera. Ata vendosën të bëhen gazetarë sepse e quajtën veten pjesë të rëndësishme të entuziazmit të përgjithshëm që kishte kapluar tërë shoqërinë shqiptare asaj kohe. Më shumë se një profesion gazetaria shihej jo vetëm prej nesh reporterëve por edhe nga publiku, si një mision, si një urë që, më në fund, e dërgonte të vërtetën në shtëpitë e varfra të shqiptarëve.
Me siguri kolegët tanë të rinj sot do të venë buzën në gaz teksa do të kenë mundësinë të lexojnë ndonjë gazetë a revistë të atyre kohëve. Ndjehej që në ajër një lloj naiviteti, mungesë profesionalizmi në raportimin, përzgjedhjen dhe shkrimin e lajmeve, porsa ama hapi i parë i madh ishte hedhur: lajmi, e vërteta kishte fituar vendin që i takonte.
Burimet e informacionit ishin fare të pakta, një abonim në ATSH që transmetonte kryesisht lajme zyrtare, korrespondentët e rretheve, lajmet e të cilëve kopjoheshin me dorë nga sekretaret, dhe vetë puna e reporterëve të pakët. Në shumë redaksi një kompjuter i vetëm quhej luks dhe faqosja ishte ende primitive. Interneti ishte për ne një gjë aq e largët sa edhe ishujt Havai.
Ishin kohë kur një lajm i gjetur ruhej me fanatizëm të madh. Konkurrenca mes reporterëve ishte e madhe dhe shumë herë madje edhe e ashpër, por ama solidariteti profesional dhe njerëzor ishin në shkallën maksimale. Më kujtohet këtu solidariteti i shtypit edhe atij rival me grevën e gazetarëve të Koha Jonë, apo rasti i djegies së redaksisë së kësaj gazete, apo i burgosjes së Frangajt dhe Lekës.
Tani le të kalojmë në gjendjen e sotme të gazetarisë dhe të gazetarëve. Sipas meje dy janë ndryshimet e mëdha që kanë përcaktuar lindjen e një lloji të ri të gazetarisë. Ndryshimi i parë i madh ishte hapja e shkollave të gazetarisë. Me gjithë mangësitë e paevitueshme në fazën e parë, me gjithë lidhjen ende të dobët me punën konkrete në terren, këto shkolla kontribuan në një shkallë të dukshme në rritjen e shkallës së profesionalizmit ndonëse asnjë herë nuk duhet të harrojmë që jo detyrimisht një student i gazetarisë bëhet automatikisht gazetar. Për të arritur deri aty duhet një rrugë e gjatë plot mund e sakrifica. Sido që të jetë të diplomuarit në gazetari, të cilët sot përbëjnë skeletin e shtypit, të paktën të atij të shkruar, ku jam përqendruar, solli një frymë e gjallëri të re në shtyp.
Ndryshimin e dytë të madh e solli cunami me emrin Internet. Si kudo në botë, por ama me efekt edhe më të theksuar te ne, Interneti zgjeroi burimet, e bëri botën dhe pra edhe Shqipërinë më të vogël, e shndërroi vendin në një redaksi gjigante, i afroi edhe më gazetarët me kërkesat e publikut, me burimet e informacionit, e zgjeroi gati pa fund arkivin personal të secilit. Jo vetëm kaq, Interneti e ka bërë publikun nëpërmjet rrjeteve sociale pjesë të vetë medias. Opinione, qëndrime, kritika, histori personale, njoftime të thjeshta deri dje të paarritshme në shtyp janë bërë pjesë e një media gjigante në shqip, një media që mund ta quajmë fare mirë një media e shtuar.
Deri këtu folëm për të mirat që kanë sjellë në shtyp këto dy ndryshime të mëdha, pra shkollimi i gazetarëve dhe Interneti, porse si çdo ilaç revolucionar edhe Interneti ka efektet e veta anësore të dëmshme, efekte të cilat, nëse harrohen apo lihen pa kuruar, mund ta çojnë pacientin, pra shtypin në krizë. Mendoj se ka ardhur koha që disa efekte anësore, disa dregëza të pacientit shtyp, t’i diskutojmë hapur mes kolegësh të vjetër e të rinj. Sigurisht që këto janë mendime krejt personale, tërësisht subjektive që burojnë nga përvoja ime redaksionale. Këto vërejtje gjithashtu nuk i takojnë aspak pjesës së mbarë të gazetarëve shqiptarë të cilët përbëjnë shumicën e shtypit.
Apatia. Kam vënë re me trishtim shumë prej kolegëve të sotëm, që vijnë në redaksi duke tërhequr këmbët zvarrë, si me pahir, sikur të duan të thonë “dreq o punë, ç’na gjeti!”, dhe largohen prej andej duke fluturuar, njësoj sikur po i pret ndonjë parajsë tokësore. Janë në moshën kur mund të japin kulmin e punës së tyre, por duken të lodhur që në mëngjes. Të bëhesh gazetar është një zgjedhje e vështirë në jetë. Kjo zgjedhje në shumicën e rasteve nuk të bën të famshëm, kërkon një jetë të lodhshme, kërkon që shumë gjëra që për të tjerët janë normale për ty të jenë gati të pamundura, por ama të jep një mijë e një kënaqësi të tjera. Gazetaria nuk është vend për gjumashë apatikë. Kush mendon të kundërtën le të bëhet më mirë zëdhënës apo deputet. Me siguri do të ndjehet më pak i bezdisur.
Mungesa e kuriozitetit. Të jesh gazetar do të thotë në radhë të parë të jesh kurioz, të të bëjnë përshtypje gjëra të jetës së përditshme, të rënda, të këqija, por edhe të bukura, të këndshme, të rralla. Nëse bëjmë një analizë fare të rastësishme të secilës prej ditëve në shtyp do të shohim se ato janë të mbushura thjesht me konferenca shtypi, deklarata të politikës apo të policisë dhe kaq.
Mungesa e të dyshuarit. Gazetari, për nga raca së cilës i përket, duhet të jetë gjithnjë dyshues. Madje dyshues deri në bezdi. Verifikimi i lajmit nga sa më shumë burime është një nga parametrat universalë të punës tonë. Për fat të keq nuk janë të pakta rastet te ne, kur nuk shihet përtej dukjes së lajmit, të deklaratës apo qëndrimit, pozicione të cilat jo vetëm na largojnë nga e vërteta, por edhe e shtojnë rrezikun e manipulimit të shtypit prej burimeve të mirëmenduara.
Mungesa e ideve. Unë nuk dua të luaj rolin e veteranit, që rrëfen betejat e fituara, porse rasti i mëposhtëm mund të jetë vërtet domethënës në krahasimin e shtypit më parë dhe sot. Përgjatë periudhës 1994-1996 së bashku me kolegët Andrea Stefani, Edmond Laçi, Carlo Bollino, Sokol Balla, Hektor Pustina, Arjan Çani, Armand Mero, Rezear Xhaxhiu e plot të tjerë, shumica prej të cilëve disa prej njerëzve më të shquar në media sot, patëm rastin të kalonim një përvojë të veçantë profesionale. Për motive teknike “Gazeta Shqiptare”, ku punim të gjithë asokohe, shtypej një ditë me vonesë, pra numri, që bëhej gati të hënën dilte në treg të mërkurën. Kjo kërkonte që çdo lajm, që të ruante freskinë, të ishte një gjetje më vete, një ide që gazetat e tjera nuk e kishin. Kështu vetëm me anë të ideve, të kërkimit, e thënë shqip e vrarjes së mendjes u arrit që kjo gazetë jo vetëm të mbijetonte, por të bëhej, sikurse është edhe sot, një nga më të njohurat në tregun mediatik. Këtë kërkesë, e të qenit ndryshe, e gjetjes së ideve, për fat të keq e shoh shumë rrallë sot.
Gjuha e mangët. Kudo në botën e zhvilluar shtypi dhe media në përgjithësi modifikojnë vazhdimisht gjuhën. Aq e zhvilluar është sot kjo marrëdhënie sa që prej kohësh kanë dalë fjalorë të posaçëm mbi gjuhën e mediave. Nuk ndodh aspak kështu te ne. Të vetmet shpikje tonat kanë mbetur “bluzat e bardha”, “togat e zeza”, “blutë”… Nuk mund të mbetesh gazetar nëse nuk lexon përditë jo vetëm shtypin, jo vetëm internetin, por edhe sa më shumë libra dhe çdo gjë tjetër që të bie në dorë. Vetëm kështu mund të pasurosh mendjen me ide dhe fjalë, koncepte etj.
Në këtë listë prej pesë pikash mund të zgjatesha edhe më, por ndoshta këtu nuk është vendi dhe as do të ishte e drejtë që të metat të kapërcejnë rezultat e padiskutueshme që kanë arritur gazetarët shqiptarë në këto dy dekadat e fundit. Në thelb këto vërejtje që përmenda pak më lart nuk përbëjnë gjë tjetër veçse dëshirën time të pamatë për t’i parë më mirë e më solidë kolegët me të cilët ndaj të njëjtin profesion.
Mbase ka ardhur koha që, njësoj si në profesione të tjera të rëndësishme si mjekët e avokatët, të kemi edhe ne Urdhrin tonë profesional të njohur zyrtarisht edhe nga qeveria. Do të ishte pikërisht ky urdhër që do të licenconte të drejtën e ushtrimit të profesionit për secilin prej nesh, do të kategorizonte secilin prej nesh në bazë të vjetërsisë në punë, cilësisë dhe sasisë së punës së kryer, do të bënte marrëveshje kolektive me shoqatat e pronarëve dhe mbase edhe me shtetin dhe do të merrte atributet e një gjykate profesionale që jep dënime deri në heqjen e të drejtës së profesionit në raste të shkeljeve të rënda të etikës apo në raste të stisjes së lajmeve të gënjeshtra.
Do të doja që, në përfundim, t’ia hiqja vetes atë ndjesinë e sikletshme që më krijoi pyetja e profesor Scherer-it. A na duhen më gazetarët? A i duhen më gazetarët shoqërisë. Sigurisht që po. Sigurisht që i duhen. Jetë e mot është dashur gjithherë një lajmës. Vetëm se tani na duhet të lundrojmë ca më shumë në një det të paanë që quhet Internet. Ndonëse një lundrim i gjatë në të mund të na i bjerrë disa prej cilësive të reporterit të vjetër klasik, ai sërish mbetet një det i mrekullueshëm.