Për Vlorën nesër dhe përgjithmonë

58

rama-ne-vloreNga

Edi Rama

Me shumë dëshirë i ftoj sot të gjithë ndjekësit e kësaj faqeje që jetojnë në Vlorë, për të ndarë nesër pasdite në Pallatin e Sportit emocionin e posaçëm të prezantimit tim si deputet i Vlorës. Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndjehem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them.

Këto ditë më kujtohen shpesh rrugëtimet e fëmijërisë drejt Vlorës, në ditët më të bukura të vitit gjatë pushimeve verore që nisnin me tren deri në Fier pastaj me autobus për në Vlorë. Më kujtohet se si më rrihte zemra fort nga padurimi i gëzuar për të mbërritur, kur shfaqeshin në ekranin e dritares së autobusit të vjetër malet e bardha të kripores. Të cilët ishin edhe shenja që lajmëronte fundin e udhëtimit të gjatë. Pastaj se si më shkonte buza vesh më vesh dhe shtrëngoja dorën e dajës që zakonisht vinte më merrte në Tiranë, kur shfaqej poshtë, tek kthesa e fundit majë kodrave me ullinj, vetë kurrizi joshës i Vlorës së shtrirë buzë detit. Dhe në fund se si merrja vrapin, kur hynim në rrugicën gjithë diell, gjelbërim e lule të varura mureve të kopshteve me hardhi e kumbulla vlonjate, për të mbërritur tek dera e oborrit të shtëpisë më të bukur në botë. Dera me hekur të punuar kishte një muzikë të vetën kur hapej, duke ndjellë vrik qenin besnik të shtëpisë dhe lajmëruar gjyshen time që dilte gjithnjë në krye të oborrit për të pritur vizitorët. Përqafimi me të ishte fundi i rrugëtimit dhe fillimi i një qejfi të papërshkrueshëm që e prisja gjithë vitin.

Kanë kaluar dhjetëra vite që atëherë. Gjyshja ime ka kohë që ka ikur nga kjo botë. As shtëpia nuk është më. Plazhi ynë i Skelës ngjan si vendxhirimi i braktisur i një filmi. Vlora sot ngjan me Vlorën dje, sa ç’ngjaj unë me atë fëmijën që përqafonte gjyshen si për t’u siguruar se nuk ishte në ëndërr. E pamundur ta mohoj se mes kësaj dhe asaj Vlore, unë do zgjidhja pa asnjë ngurrim atë. Por e pamundur po ashtu të thuash se Vlora duhet të mbetej ashtu.

Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Mvaret nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim nesër.

Ju pres në Pallatin e Sportit, në ora 18.00.