Rezoluta përbëhet nga 18 pika të rëndësishme:
1. Vlerësohen fryma e bashkëpunimit dhe sjellja e forcave politike gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjithashtu, është parë një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi nga palët në të mirë të progresit.
2. Integrimi Evropian duhet të marrë mbështetje mbarëkombëtare dhe duhet të jetë një projekt që të përfshijë të gjitha palët politike dhe shoqërinë civile.
3. Vërejmë se ka pasur një progres mjaft premtues në axhendën e reformave dhe shprehim besim në potencialin, kapacitetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
4. Mirëpresim vendosmërinë e shtetit ndaj integrimit evropian dhe modernizimin e disa sektorëve kyç të qeverisjes përmes reformave. Inkurajojmë Shqipërinë që të marrë rezultatet e kërkuara nga Komisioni Evropian në vitin 2010, veçanërisht në ndërtimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5. Vlerësojmë se Këshilli u njoh me progresin e Shqipërisë dhe kërkojmë që t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Kriteret politike
6. Kërkojmë që të bëhen përpjekje të mëdha për të forcuar pavarësinë dhe eficencën e sistemit të drejtësisë, duke shtuar këtu edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kërkojmë që te përmirësohet qasja ndaj organeve të drejtësisë për këdo që ka nevojë. Kërkojmë që të përmirësohet dhe forcohet puna e autoriteteve që merren me të drejtat e njeriut, siç janë Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit.
7. Vlerësojmë vendosmërinë për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe kujtojmë se duhet ende punë për forcimin dhe koordinimin institucional për këto çështje. Kërkojmë që të qartësohet roli dhe kompetencat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duhet që të monitorohen të gjitha strategjitë antikorrupsion.
8. Duhen ende përmirësime në luftën kundër krimit të organizuar dhe duhen bërë përparime në metodologjinë hetimore.
9. Vlerësojmë progresin e dialogut mes shoqërisë civile dhe qeverisë, dhe theksojmë që ky dialog të konsolidohet edhe më tej, si në planin e demokracisë, ashtu edhe në përmirësimin legjislativ dhe të reformave.
10. Vlerësojmë se minoritetet në përgjithësi gëzojnë respekt dhe garantim të të drejtave të tyre. Kërkojmë gjithashtu që autoritetet të mbajnë dhe të zhvillojnë më tej klimën e tolerancës për të gjitha minoritetet në vend. Kërkojmë implementimin e strategjive për integrimin e komunitetit rom në shoqëri, si edhe të komunitetit LGBT. Për këta të fundit, duhen disa rregullime ligjore kundër diskriminimit.
11. Ndërkohë që media është pluraliste dhe diverse, ka shqetësime lidhur me influencën politike në mediat publike. Duhet të garantohet liria e medias dhe pavarësia e autoriteteve rregullatore. Duhen bërë transparente rrugët e financimit të tyre.
12. Duhet mbështetje më e madhe e reformave dhe implementimit të tyre në fushën socio-ekonomike dhe zhvillimit ekonomik në tërësi.
13. Mirëpresim përpjekjen e autoriteteve përkatëse për rritjen e eficencës në mbledhjen e taksave dhe për të luftuar informalitetin. Gjithashtu, përgëzojmë qeverinë për mbështetje dhe provim të punësimit.
14. I kërkojmë qeverisë që të garantojë respekt për të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin privat apo publik.
15. Duhet vëmendje e veçantë për respektimin dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve. Duhen investime në ciklin fillor mësimor, si edhe për sektorin shëndetësor që kujdeset për ta. Duhet mbështetje për fëmijët në nevojë.
Bashkëpunimi rajonal
16. Vlerësojmë rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në marrëdhëniet me shtetet fqinje, ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh.
17. Vlerësojmë refuzimin e qeverisë së re shqiptare ndaj nacionalizmit dhe diskursit që e nxit atë. Inkurajojmë politikat tolerante ndaj kësaj çështje në çdo instancë qeverisëse.
18. Refuzimi që Shqipëria i bëri armëve kimike të Sirisë, me gjithë këmbënguljen amerikane, është komentuar si shenjë e pjekurisë politike nga eurodeputetët, të cilët u shprehen përgjithësisht në mbështetje të Këshillit të Evropës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Evropian diskutoi draftrezolutën për Shqipërinë, përpiluar nga raportuesi i ri kroat, Nikola Vuljaniç, në të cilin u vërejtën sukseset e Shqipërisë, por edhe problemet. Ndër çështjet e shtruara si të pazgjidhura ishte edhe problemi i gjakmarrjes dhe ngujimit.