PE, Rezoluta kërkon rritje të rolit të BE-së në Politikën e Jashtme

57
PE/fotoalbaniaplus
PE/fotoalbaniaplus

Parlamenti Europian ka miratuar një Rezolutë në lidhje me politikën e jashtme të BE-së. Rezoluta ka në fokus rishqyrtimin e objektivave dhe koncepteve strategjike në kuadrin e politikës së jashtme dhe kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Sipas Rezolutës, politika e jashtme dhe e sigurisë së përbashkët mund të funksionojë, vetëm nëse ajo përfshin të gjithë fushat e politikës së jashtme, si dhe një bashkëpunim të thelluar në fushën e mbrojtjes.

Eurodeputetët kanë vlerësuar se, politika e jashtme e BE-së që synon mbrojtjen e interesave dhe vlerave të saj dhe ngrihet mbi një rol motor, duhet ti përgjigjet sfidave të një rendi botëror në ndryshim. Sipas tyre, BE duhet të jetë proaktive, të përcaktojë prioritetet dhe të përdorë plotësisht burimet e Shteteve Anëtare dhe mundësitë e ofruara nga Traktati i Lisbonës.

Shqetësimi i ngritur përgjatë seancës së zhvilluar ditën e enjte, dhe i reflektuar dhe në Rezolutë, përqendrohej tek fakti se, BE nuk ka zhvilluar akoma një strategji të qartë të marrëdhënieve të saj me pjesën tjetër të botës dhe aktivitetet e saj janë kryesisht reaktive dhe proaktive. Si rrjedhojë ato kërkojnë mbajtjen e një debati strategjik thelbësor, që duhet të përfshijë Këshillin, Komisionin dhe Parlamentin.

Eurodeputeti Elmar Brok , Raportues dhe President i Komisionit të Punëve të Jashtme ka deklaruar se, Europa duhet të jetë më tepër një aktor botëror se sa një kontribuues ndërkombëtar. Ai shtoi se, kur Europa flet me një zë të vetëm ajo dëgjohet, duke iu referuar  në këtë mënyrë diskutimeve mbi Iranin dhe Kosovën dhe se 70% e qytetarëve të BE-së kërkojnë gjithashtu një politikë të jashtme të përbashkët dhe avancimin në këtë fushë.

Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu që politika e përbashkët e sigurisë dhe e mbrojtjes të përshpejtohet. Rezoluta thekson, se mbledhja e Këshillit Europian që duhet të zhvillohet më dhjetor, mbi të ardhmen e mbrojtjes europiane është rasti i rishqyrtimit të objektivave dhe koncepteve strategjike të BE-së. Shefat e Shteteve dhe të qeverive duhet të krijojnë një Udhërrëfyes të detajuar me një kalendar, duke përfshirë një libër të bardhë, që përcakton një model të përbashkët për realizimin e bilanceve kombëtare në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Sipas Rezolutës, politika e jashtme dhe e sigurisë së përbashkët mund të funksionojë vetëm nëse ajo përfshin të gjithë fushat e politikës së jashtme, si dhe një bashkëpunim të thelluar në fushën e mbrojtjes. Politika e jashtme duhet të jetë e pajisur me burime adekuate, sipas eurodeputetëve, të cilët rivënë në dukje shkurtimet buxhetore të Këshillit në kuadrin e miratimit të buxhetit afatgjatë 2014-2020. Rezoluta u adoptua me 389 vota pro, 114 kundër dhe 58 abstenime./i.t/