Deklarata e plote:
Ministri i Brendshëm krekoset se vrasjet me ardhjen e tij në pushtet janë vetëm 34.
Ndërkohë që Shqipëria është nën terrorin e maskave dhe tritolit, Ministri i Brendshëm ngrihet e krihet. Është skandaloze kurajoja që ka ky zyrtar i lartë i vendit për të gënjyer.
Nga shtatori e deri sot që flasim, janë 51 të vrarë. 51 viktima të krimit, që tregojnë jo vetëm pasigurinë në vend, por e nxjerrin Ministrin një gënjeshtar të paskrupullt. Tahiri thotë se në Janar, ka 11 të vrarë. Në fakt janë 17 të vrarë. Të dhënat e tregojnë këtë. Këto janë ngjarje të rënda dhe kur shoqërohen edhe më gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm bëhen këmbana alarmi, për rënien e autoritetit të policisë, uljen e zbulueshmërisë dhe rritjen e krimit nën këtë qeverisje. Teksa Ministri bën si polic, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sillet si politikan. Numëruesi i parë i zgjedhjeve për Partinë Socialiste e tradhtoi veten me deklaratën që bëri kundër opozitës.
Drejtori i Policisë është në shërbim të qytetarëve dhe nuk mund t’i ndajë ata në pozitë dhe opozitë. Qëndrimet e tij politike, janë në kundërshtim me ligjin dhe një shkelje e rëndë e standardeve të drejtimit të Policisë së Shtetit. Didi e dëshmoi vetë dje se nuk është drejtori Policie, por drejtor partie. Qëndrime të tilla, kërkojnë të largojnë përgjegjësinë nga situata e rënduar kriminale, dhe nga skandali më i fundit, kur i penduari vinte vërdallë në Durrës e Tiranë, për të denoncuar bandën e tritolit, sepse në komisariate e përzinin. Arsyen pse refuzonin të penduarin, e dinë vetë ata. Partia Demokratike ka denoncuar në vijimësi gënjeshtrat e Ministrit dhe fshehjen që ai u bën ngjarjeve të rënda. Ja fakti më i fundit.
Dje në orët e para të mëngjesit, në Shkodër, një grup i armatosur dhe i maskuar, ka hyrë me forcë dhe ka marrë paratë që gjendeshin në zyrat qendrore të postës. Ngjarja nuk është bërë e ditur nga policia.Të gjitha këto manipulime të Ministrit dhe Drejtorit të Policisë, jo vetëm nuk e përmirësojnë rendin dhe sigurinë, por nxisin edhe më shumë kriminalitetin dhe i bëjnë ata palë me keqbërësit.