Panariti: Bashkëpunim me Athinën, Agimi i Artë “non grata”

59

Edmond_PanaritiIsh-ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, tashmë ministër i ri i Bujqësisë në qeverinë “Rama” komentoi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ngjarjet e pak ditëve më parë në Himarë. Ai sugjeron që qeveria e re shqiptare të diskutojë me ministrin e Jashtëm grek, gjatë vizitës së pritshme në Tiranë, ndalimin e veprimeve me sfond ekstremist nga persona grekë. Nisur nga ngjarja e fundit, Panariti shprehet se: “Jam i mendimit se duhet të bashkëpunohet edhe me shtetin helen dhe sidomos midis shërbimeve informative shtetërore përkatëse për parandalimin e provokimeve dhe incidenteve të tilla”.

Sa i përket çështjes tjetër, asaj të toponimeve, Panariti thotë se: “Pala shqiptare, përkatësisht Ministria e Rendit duhet të fillojë sa më parë prodhimin e dokumenteve me emërtesat sipas kritereve të dakordësisë midis palëve”. “Për sa u takon dokumenteve të vjetra, për të cilat ky modifikim është i pamundur, duhet gjendur një zgjidhje kompromisi me palën greke, e cila pritet të jetë edhe rezultantja e bisedimeve në nivel të lartë midis palëve”, shprehet Panariti.
Profesor Panariti, besoj jeni njohur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Himarë, gjatë ceremonisë përkujtimore për Aristotel Gumën, me pjesëtarë të “Agimit të Artë”. Si ish-ministër i Punëve të Jashtme, si e cilësoni këtë ngjarje?
Duke njohur dhe respektuar plotësisht të drejtën e familjarëve, të afërmve dhe miqve për të përkujtuar përvjetorin e humbjes së dhimbshme dhe tragjike të të riut Aristotel Guma, kam bindjen se duhet penguar me vendosmëri që një përvjetor i tillë të instrumentalizohet dhe të shndërrohet në një ritual dhe tribunë nxitëse e urrejtjes ndëretnike dhe cenimit të sovranitetit e integritetit territorial të vendit nga grupe dhe individë radikalë ekstremistë. Mendoj se duhet bllokuar sidomos zbatimi i një axhende të parafabrikuar të “helmimit” të marrëdhënieve shqiptaro- greke, e cila vihet në veprim sa herë që ndodhemi në prag të zhvillimeve pozitive të forcimit të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe të avancimit të zgjidhjeve të çështjeve pezull mes dy vendeve tona. Organizmat e sigurisë kombëtare, posaçërisht Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit duhet të analizojnë me kujdes deklaratat e eksponentëve politikë radikalë në këto grumbullime dhe të vlerësojnë se sa dhe si këto deklarata bien ndesh dhe cenojnë nenet 3 dhe 9, të Kushtetutës së Shqipërisë. Policia e Shtetit ka bërë mirë që ka identifikuar personat në fjalë dhe ka formuluar edhe aktakuzat konform provave përkatëse, duke ia kaluar ato prokurorisë për procedim të mëtejshëm. Jam i mendimit se duhet të bashkëpunohet edhe me shtetin helen dhe sidomos midis shërbimeve informative shtetërore përkatëse për parandalimin e provokimeve dhe incidenteve të tilla. Do të sugjeroja që ndalimi në kohë i veprimeve të tilla me sfond ekstremist të përfshihej edhe në axhendën e bisedimeve gjatë vizitës së pritshme të ministrit të Jashtëm të Greqisë në Shqipëri.
Ju keni deklaruar se pjesëtarët e “Agimit të Artë” do të shpallen “non grata”, por duket se ata po vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetet e tyre lirshëm në Shqipëri…?
Të gjithë individëve dhe subjekteve, që me veprimet apo deklaratat e tyre cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe nxitin urrejtjen dhe konfliktet ndëretnike, duhet t’u pamundësohet një gjë e tillë dhe në këtë kuadër, statusi i personit “non grata” përbën vetëm njërin prej këtyre instrumenteve në dispozicion të autoriteteve shtetërore. Kur them “pamundësohet”, kam parasysh jo vetëm ndalimin fizik të zhvillimit të veprimtarive të tilla me sfond racist, ksenofob dhe luftënxitës, por edhe të “mosfaktorizimit” në media të eksponentëve radikalë për shpalljen e platformave të tyre ekstremiste. Për të mos e lejuar përsëritjen e incidenteve të tilla kërkohet një bashkëpunim më i efektshëm ndërinstitucional midis Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Rendit.
Kur ju keni pasur detyrën e ministrit të Jashtëm, deri ku kanë shkuar negociatat për toponimet me palën greke, pasi këto ditë është krijuar sërish një situatë jo e këndshme në kufijtë me shtetin fqinj, sa i përket lëvizjes së fëmijëve të emigrantëve?
Kam qenë i prirur dhe kam ngulmuar për të gjetur me palën greke një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme të këtij problemi. Në thelb kërkesa e palës greke ka qenë përdorimi në certifikatat dhe dokumentet e udhëtimit të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi të emërtesave të vendlindjes (toponimeve) sipas kritereve të parapara në aktet e Kombeve të Bashkuara, pra përdorimi i variantit të latinizuar të emërtesës lokale në dokumentet zyrtare. Kjo çështje ka qenë subjekt i disa moratoriumeve siç është edhe ky i fundit, i muajit gusht, ku qytetarët zotërues të dokumenteve me toponimet ekzistuese nuk po pengohen në këtë periudhë të pushimeve të hyjnë dhe dalin lirisht në territorin grek. Por kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Pala shqiptare, përkatësisht Ministria e Rendit duhet të fillojë sa më parë prodhimin e dokumenteve me emërtesat sipas kritereve të dakordësisë midis palëve. Mendoj se kjo do të shënonte pikën e kthesës pozitive për zgjidhjen e qëndrueshme të problemit. Për sa u takon dokumenteve të vjetra, për të cilat ky modifikim është i pamundur, duhet gjendur një zgjidhje kompromisi me palën greke, e cila pritet të jetë edhe rezultantja e bisedimeve në nivel të lartë midis palëve. Ju në qeverinë e re do të mbani postin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Është një detyrë që i përshtatet më së miri formimit tuaj intelektual.
A mund të na njihni me pikat kryesore të programit tuaj për pjesën që ju takon?
Objektiv kryesor i programit qeverisës në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural është rritja e prodhimit bujqësor vendas, dalja e tij e shpejtë në treg si produkt i freskët apo i përpunuar dhe me vlerë të shtuar. Mbrojtja e tij dhe e konsumatorit nga konkurrenca e pandershme e prodhimeve të importit do të jetë gjithashtu në qendër të vëmendjes. Standardizimi i prodhimeve bujqësore, certifikimi i cilësisë së tyre dhe krijimi në vazhdimësi i prodhimeve shqiptare “të markës” e të “origjinës” do të rriste ndjeshëm jo vetëm praninë e tyre në treg, por edhe rritjen e eksporteve tona bujqësore. Investimet dhe përkrahja financiare në bujqësi duhet të synojnë mbështetjen e “rezultatit” dhe jo vetëm të “përpjekjeve”. Në këtë këndvështrim do të ishin efektive edhe pagesat e fermerëve për çdo kg apo litër produkt bujqësor dhe blegtoral të prodhuar dhe të dorëzuar në pikat e grumbullimit. Kjo duhet të fillojë të zbatohet, krahas skemave të subvencionit të “inputeve” bujqësore si karburanti, plehrat kimike etj. Shteti në bashkëpunim me privatin, duhet të investojë në ndërtimin e pikave të grumbullimit të produkteve, ku do të bëhet jo vetëm grumbullimi, por edhe klasifikimi i prodhimit dhe afishimi i çmimeve me shumicë të produkteve. Kjo do të lidhte më mirë prodhimin me agropërpunimin dhe do të nxiste shumë kapacitetet e fjetura, por edhe ato të reja të industrisë ushqimore në Shqipëri duke mundësuar edhe krijimin e mijëra vendeve të reja të punës. Zhvillimi i agroturizmit, posaçërisht i atij rekreacional, zbavitës dhe edukues do të krijonte të ardhura shtesë për fermat shqiptare. Kështu veprimtari të tilla si hipizmi, peshkimi turistik, gjuetia e shpendëve të mbarështuar në ferma për këtë qëllim etj., do të krijonin të ardhura shtesë dhe vende të reja pune në bujqësi. Zhvillimi i bujqësisë organike, zgjerimi i segmenteve të tregut për produktet bio të certifikuara si të tilla do të krijonte një tjetër mundësi për rritjen e të ardhurave dhe të punësimit në këtë sektor. E mbështetur dhe e drejtuar si duhet, bujqësia është “çelësi” i rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
A përputhen prioritetet tuaja si LSI me ato të PS-së në atë çfarë ju mendoni të realizoni si drejtues i këtij dikasteri?
Objektivat, synimet dhe sfidat në bujqësi dhe zhvillim rural janë të përbashkëta si për LSI-në, ashtu edhe për PS. Kemi sinergji të plotë synimi dhe veprimi.
Ka pasur një interes në fakt, për programin 300-ditor të qeverisë së re, por ende nuk kemi një shpallje publike. Kur është lënë të bëhet kjo?
Programi është gati dhe do të bëhet publik nga kryeministri Edi Rama në kohën e duhur.

*G.SH