Skënderbeu mposht Laçin me penallti, fiton për herë të parë Superkupën

43

skenderbeu-laci-2-0_1Skënderbeu është fituesi i Superkupës së Shqipërisë. Kampionët kanë mundur Laçin vetëm me anë të gjuajtjeve të 11-metërshave, pasi ndeshja dhe koha shtesë prej 30 minutash përfundoi në barazim 1-1. Korçarët e kanë nisur shumë mirë takimin, duke shënuar që në fillim me anë të Pejiçit dhe kanë pasur edhe raste të tjera shënimi, por më pas kurbinasit e kanë marrë veten, duke rrezikuar në disa raste. Në pjesën e dytë ka rënë ritmi i ndeshjes dhe kur mendohej se Skënderbeu e fitoi ndeshjen, pasi Laçi kishte mbetur edhe me 10 futbollistë, pas largimit me karton të kuq të Çarlsit, kurbinasit shënojnë në limit me anë të kroatit Buljan, duke e çuar ndeshjen në shtesë. U mendua se Skënderbeu do të shënonte sërish, por misioni vështirësohet kur Orelesi ndëshkohet me karton të kuq dhe në fushë ekuilibrohet gjithçka. Në kohën shtesë nuk ka gol dhe e gjithë ndeshja përfundon në barazim. Nga gjuajtjet e 11-metërshave më të saktë janë kampionët, teksa kanë humbur vetëm një, ndërsa laçianët dy të tillë. Në fund ka gjuajtur saktë Fagu për Skënderbeun, duke i dhënë kështu skuadrës së tij Superkupën, që është e para për korçarët, edhe pse e kishin diskutuar këtë trofe edhe dy herë të tjera në dy vitet e fundit.