Olldashi: Në dhomën e Enverit vetëm ‘Koçoja’ mund të flejë

44

olldashiSokol Olldashi, ministri në ikje i Transportit nëpërmjet një konference për shtyp ka komentuar sot konferencën dyditore të Partisë Socialiste, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, zhvilluar para pak ditësh në kryeqytet.

Olldashi është shprehur se në konferencë merrnin pjesë pseudo ekspertë, të cilët i cilësoi si klientët e vjetër të Bashkisë së Tiranës.

“Kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur pseudo ekspertësh, është një rreth influence që shfaqet herë si konkurrent, herë si këshillues, herë si anëtar jurie, është rrethi i klientëve të Ramës si kryetar bashkie”, tha Olldashi.

Olldashi tha më tej se, Rama ka mosnjohje të thellë të rajoneve të Shqipërisë, ndërsa u shpreh se Kontrolli i territorit nuk mund të bëhet me fushata ndëshkimore.

Duke ironizuar propozimet e ekspertëve, Olldashi nënvizoi se, “Që nga Piramida mund të rrëshkitet, këtë fëmijët e Tiranës e dinë, por që rrëshkitja mund të bëhet nga poshtë lart këtë asnjëri se dinte”.

Duke ironizuar propozimin për kthimin e vilës së Enverit në një vend ku mund të mbyllen filozofët, Olldashi tha se i vetmi që mund të pranojë dicka të tillë është Koço Kokëdhima.

‘Propozohet që filozofët të hynte në dhomën e gjumit të Enver Hoxhës, të mendohen dhe të thonë si do jetë Shqipëria. Imagjiononi Ramën që mbyllet 3 muaj në dhomën e Hoxhës, i vetmi që do pranonte është Koçoja, por edhe atë mbetet ta pyesim”, tha Olldashi.