Norvegjia do të ndihmojë në transportimin e armëve siriane

63
EFC66A13-9A0B-459D-BF56-5B0D558D9E61_w640_r1_s_cx0_cy5_cw0Norvegjia u bë sot vendi i parë që konfirmon se do të dërgojë personel  ushtarak në Siri për të ndihmuar OKB-në në eliminimin e arsenalit të armëve kimike të qeverisë së Bashar al-Asadit.

Ministri i Jashtëm norvegjez Borge Brende tha se vendi i tij do të dërgojë një anije civile dhe një fregatë të marinës në portet siriane për të marrë stoqet e armëve kimike të cilat do të dërgohen diku tjetër për asgjësim.

Në një intervistë me Agjencinë e Lajmeve Associated Press, Zoti Brende e cilësoi shkatërrimin e arsenalit të Asadit si një detyrim norvegjez. Ai i bëri komentet në Uashington, ku ndodhej për t’u takuar me Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe ligjvënës të lartë amerikanë.

Organizata e OKB-së për Parandalimin e Armëve Kimike është ende duke përpunuar planet për shkatërrimin e rezervave kimike të Asadit. Danimarka po shqyrton një ndihmë të ngjashme për transportimin e lëndëve kimike dhe është në pritje të miratimit nga parlamenti.

Organizata e OKB-së pritet të njoftojë të premten strategjinë e saj për heqjen e armëve deri në mars të 2014-s dhe pastaj shkatërrimin e tyre. Zyrtarët ende nuk kanë konfirmuar nëse armët do të shkatërrohen jashtë Sirisë, edhe pse e kanë cilësuar këtë si alternativën më të mundshme.

Zoti Brende tha se ende janë në shqyrtim e sipër hollësitë lidhue se nga cili port sirian do të transportohen armët. Ai nuik tha se në cilin vend do të dërgoheshin armët.

Pas njoftimeve se Shqipëria ishte një destinacion i mundshëm, rreth 5 mijë veta demonstruan të enjten përballë parlamentit dhe kryeministrisë në Tiranë.

Vendi që do të bëjë shkatërrimin e armëve mund të marrë ndihmë të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera. Zoti Brende tha se SHBA pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e asgjësimit./voa/