Nishani: Mazhoranca deformim qëllim-ulët ndaj meje

45

Bujar NishaniMenjëherë pas akuzave të deputetit të mazhorancës, Taulant Balla, ndaj presidentit Bujar Nishani, për periudhën kur ai ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, reagon presidenti.

Përmes një njoftimi për shtyp, presidenti Nishani, thotë se është sulmuar nga deputetët e mazhorancës dhe e quan deformim qëllim-ulët dhe shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik.

Reagimi i plotë i presidentit:

“Presidenti i Republikës shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik që shumica qeverisëse adresoi sot kundër tij në aulën e lartë të parlamentit duke e përdhosur atë.

Presidenti i republikës demaskon dhe dënon deformimin qëllim-ulët ndaj angazhimeve të tij kundër mos-zbatuesve dhe shkelësve të ligjit në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Jo vetëm tani dhe në këtë rast. Në çdo periudhë, në të gjitha rastet, në çdo detyrë që ka pasur në të kaluarën dhe do ketë në të ardhmen.

Duke cënuar besueshmërinë dhe duke inkurajuar sjelljen e papërgjegjshme, ky sulm me shtysë të qartë politike, është një tjetër atentat i rëndë që shumica qeverisëse i bën komunikimit normal ndërinstitucional.

Presidenti i Republikës, ka qenë, është, dhe do jetë, i bindjes së thellë dhe të patundur, se pavarësisht nga pozicioni shoqëror, hierarkia shtetërore, dhe çdo rrethanë tjetër, denoncimi i shkelësve të ligjit dhe në përgjithësi mbrojtja e ligjshmërisë, është një akt civil, një detyrim njerëzor i vetvetishëm, i cilitdo qytetar të vendit”.