Në familjen që se trondit as tërmeti

93

Nikoleta Kovaçi

Rruga për në Laç është si gjithmonë e dashur. Mbase ka të bëjë me efektin e Kishës së Shën Ndout. Gjithnjë më jepet të mendoj se gjithçka që ka të bëjë me atë vend lidhet pikërisht me atë Kishë… Sigurishte edhe të besoj, së Shën Ndou (Fernando), nuk e zgjodhi atë vend thjesht për të lënë gjurmët e tij por edhe ta veçojë këtë popull. Kështu ka ndodhur shumë kund, por në Shqipërinë tonë gjërat nuk kanë rregulla, besimi është thyer me kohë, e mendimi pasohet nga një frikë dhe ankth se: Ky vend s’bëhet më kurrë!
Tërmeti, veç zizë dhe mjerimit në humbje njerzish na zbuloi edhe nga pak vete, nga pak shpirt e zemër, nga pak nga Gjaku jonë; ai Gjaku në emër të të cilit ne nisim e mbyllim jetën tonë…! Ky gjak kësaj radhe vloi së tepërmi te Njerëzit, te shqiptarët kudo nëpër botë, te kushdo që e ndjeu veten gjallë e të pathyer nga kjo klithmë kataklizme. Shqipëria është e jona…
***
Adresa që mora për tek familja Tusha në Delbinisht të Laçit ishte: “Diku sipër gurores! Ne na shoqëroi një djalë me emrin Erjon”! Mblodhëm sa patëm dhe me dy njerëz shumë të dashur u nisëm drejt Laçit. Vendi ishte në terr. Dukej se asgjë nuk pipëtinte. Pak makina e gjithnjë e më pak njerëz. Devijimin e rrugës për në gurore e morëm pak metra përtej Gjykatës së rrethit. Unë gjithnjë i lidh vendet dhe kohët me punën time. Kalldrëm dhe gur. Një rrugë e vështirë fort të ngjitesh. Gurorja ishte aty! Përtej një përrua që ndante copa toke dhe jete. Këtej ca makineri, që qendronin si kërcënim; dukej që përpunonin diçka që i merret tokës, kësaj tokës që jo vetëm u zemërua po edhe na rrënoi! Një burrë gjendet mes gurëve. Ishte njësh me ta. Gërryente thua se aty është jeta. Sigurisht, aty është buka e tij, e familjes së tij, e të pamundurve të tij dhe të vetes. I vetëm në guroren e stërmadhe, e vetmja grimcë ishte njeriu, ai që me një vegël qëllonte si një hije mbi gurët kryelartë!
***
Familja Tusha ishte në anë të fshatit, si në anë të kohës, në anë të fatit e në anë të kujtesës. Vetëm Erjoni ishte njeriu që kujdesej për ta, si thuash; ishte Zot për ta. Ai ishte vëllai i Adelinës, një djalë i qetë, i urtë dhe mendjehapur. E kishte të pamundur ta sfidonte fatin e të motrës, atëherë as sot; as kur ajo u martua me Sandrin, as sot që ka dy fëmijë me të. Paskali dhe Leo janë njëri 11 vjeç e tjetri 7 vjeç. Janë thuajse njësoj; veprojnë, mendojnë e dëshirojnë njësoj. Janë që të dy të sëmurë, por me probleme të ndryshme. Nuk flasin, reagojnë me vonesë, por janë kaq të dashur, kaq mirënjohës e pafundësisht dashamirës ndaj dashurisë për ta! Ata shkojnë në shkollë po nuk lexojnë dot, nuk flasin dot e janë të veshur jo mirë… Tërmeti i ka trembur. Iu lexohet në sy. Banesa në të cilën janë strehuar është e pabanueshme. Krejtësisht e frikshme. Një mur i hollë i veshur me një suva tejshikuese që sigurisht nuk fsheh asnjë mjerim. Adelina e ka larë shtëpinë. E ka sistemuar se do i vinin njerëz nga Tirana, ka ndezur sobën që të jetë vendi i ngrohur, po aty asgjë s`mund ta ngrohë atë ngrehinë. Në pragderë, në atë prag dhimbjeje, del edhe Shpresa. Është vjehrra e Adelinës. Ajo ka shumë probleme shëndetësore, po edhe fizike, ndërsa Sandri, i biri i saj, babai i dy fëmijëve, përveç problemeve të veta të shumta, që i demonstronte nga larg, e kishte të vështirë të përceptonte se si iu kërcënohej jeta në atë breg përroi, në atë rrëzë shpati, veçuar prej fshatit dhe fatit!
***
Historia e tyre është historia e të gjithë shqiptarëve që janë përpjekur të ndërtojnë jetën mes emigracionit dhe vendit të tyre. Ata kanë ikur në Greqi por e kanë patur të pamundur të jetojnë. Sandri kishte shfaqur probleme mendore, fëmijët e sëmurë, gjyshja e tyre thuajse me të njëjtat simptoma, kishin bërë që Adelina të kthehej drejt Shqipërisë. Familja e saj e kishin sjellë në fshat ta kishin afër por pa mundur t`ia ndryshonin fatin e jetës së saj. Me kursimet e Greqisë dhe me ndihmën e familjes së saj ajo kishte blerë pak metra tokë me idenë për të bërë një shtëpi, por s`kishte mundur. Fëmijët ishin rritur, e bashkë me to edhe shpenzimet, ilaçet, kujdeset e shumta që duhet të paguhen. Ata marrin pension invaliditeti. Të tre; pra i ati me dy fëmijët, po jo Adelina. Leo, ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale. Ai ka një defekt në pjesën e brendshme të gojës. Mendohet se i ka ndodhur nga temperatura. Por ende nuk e dinë. As mjekët këtu, sigurisht s`japin asnjë shpjegim. Djali nuk flet dhe shpesh mbytet duke iu zënë fryma. Adelina tregon raportet mes dy fëmijëve, hallin për t`i çuar në shkollë, për t`i sjellë në shtëpi, meraku se rrëzohen dhe bien në përrua, nata në çadër se soleta e asaj ndërtese që ka shërbyer dikur për punët e ushtrisë është shkëputur krejtësisht nga ai mur si fibër! Shpresa flet pak. Është e pamundur të lëvizë. I ka thënë Adelinës; “shpëto fëmijët, ani pse unë mbetem këtu”. Erjoni ka rrëmbyer me forcë një çadër tek bashkia. Ata e kanë refuzuar sepse ai nuk e kishte vërtetuar se shtëpia e motrës së tij ishte shembur. Ai është njohës i mirë i hileve të pushtetasve lokalë. E di që tek motra e tij s`do të mbërrinte kurrë asnjë ekspert, asnjë inxhinier, e aq më pak Bashkia! Ai ka kërkuar herë pas here ndihmë për të hedhur një urë dhe mur për ta shmangur përroin që në dimër bëhet përbindësh. Por ai beson se Zoti do ia shpërtojë nipat e tij. Ai mendon të ndërtojë një shtëpi për ta: – “Dy dhoma e një kuzhinë, asgjë tjetër s’dua. Vetëm t`i heq që aty! T`ua ndërtoj këtej përroin, të paktën mos të mi rrëmbejë uji!
Nisim të largohemi. Leo do të vijë për Tiranë! E do jetën; i lexohet në sy e shpirt! I do njerëzitl jepet me gjithçkanë e tij. Paskali është më i tërhequr. Ai nuk lëviz nga pragu dhe na përshëndet vetem më dorë, ndërsa Leo do me çdo kusht të vijë te makina, te Tirana, te lodrat… Në sytë e tij ka kaq shumë jetë sa edhe shpresë. Erjoni beson! Edhe Adelina. Sandri pak kupton nga fuqia e lëvizjes. As nga mundësia e jetës. Paskali kërkoi libra po tha: “Kur të mësoj të lexoj!”
Shteti kurrë s`kishte shkuar aty. As OJF-të, as OJQ-të, asnjë shoqatë, asnjë zyrtarë… Askush nuk iu afrohet sepse askush nuk i ka listuar në asnjë listë personash me probleme. Në vendin tonë, në fakt, kurrë s`ka ekzistuar një e tillë. Nëse s`ke teser partie, nëse s`je i aftë të kontribuosh qoftë edhe duke mbledhur hashash, nëse nuk i shërben partisë për diçka ti nuk duhet të frymosh; as ti dhe as familja jote! Familja Tusha është një prej qindra të tillave në vendin tonë. Qeveria i di, edhe bashkia i njeh, edhe gjithë fshati, komuna, minibashkia, njësia, apo kushdo që lëvron fonde për këtë fakt i njeh këto familje; por mjerisht aty s`shkon asnjë.
Leo shpreson; na pret të gjithëve. Ai do vetëm të flasë dhe besohet se një operacion ia mundëson. Tani është radha e shtetit dhe e bashkisë të hedhi një vështrim në atë familje; të kurohen dy fëmijët, të paktën të shpëtojmë jetën e tyre, siç ndihmohet emra të njohur të politikës, ashtu të ndihmohet edhe Leo, të cilit i qesh shpirti kur i them: Ti ke emrin e Leo Messit e ti do bëhesh më i famshëm se ai!