Ndërrimi i pushtetit, 13 mld lekë abuzime ndaj buxhetit

54

klshRreth 13 miliardë lekë është abuzimi i administratës “Berisha” në tre muajt e fundit të qeverisjes së saj. abuzimet janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nëse nga auditimet e kryera për periudhën nga janari deri në muajin qershor kur janë zhvilluar zgjedhjet, dëmi i konstatuar ka qenë 934 milion lekë, për tre muajt pasues, pra deri në muajin shtator të këtij viti, dëmi i konstatuar tejkalon shifrën 14.6 miliardë lekë.

Vetëm në tre muajt e tranzicionit të pushtetit, dëmi i konstatuar është rritur në mënyrë të zhbalancuar me më shumë se 13 miliardë lekë. Referuar raportit, pjesa më e madhe e dëmit është konstatuar në përdorimin e pronës shtetërore me 12 miliardë lekë, ku dëmi më i madh që i është shkaktuar buxhetit të shtetit vjen nga procesi i dështuar i privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës “Albpetrol” dhe nga mosarkëtimi i garancisë. Po ashtu, në fushën e prokurimeve publike dëmi i konstatuar arrin në 312 milion lekë ndërsa në fushën e urbanistikës, dëmi arrin në 112 milion lekë, duke shënuar vetëm në tre muaj një rritje prej 100 milion lekësh të dëmit të konstatuar.

 Në sektorin e doganave dëmi i konstatuar arrin në 239 milion lekë ndërsa në atë të tatimeve dëmi arrin në 76 milion lekë, çka do të thotë se përgjatë tre muajve dëmi i konstatuar pothuajse është dyfishuar. Përsa i përket pagave dëmi i konstatuar arrin në 50 milion lekë ndërsa për shpërblimet e dhëna për administratën dëmi arrin në 5.4 mln lekë. Po ashtu, edhe përsa i përket shpenzimeve operative që janë bërë jo pak herë pjesë e debatit, dëmi i konstatuar arrin në 36 milion lekë.

Ndërkohë, dëmi i konsiderueshëm është konstatuar edhe në disiplinën financiare dhe në performancën e manaxhimit të fondeve, ku është konstatuar dëm përkatësisht në vlerën 1.8 dhe 3.4 miliardë lekë duke shënuar një rritje të fortë të dëmit të konstatuar, në krahasim me 29 milion lekët e konstatuara në 6 muajt e parë. Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit 14.6 miliardë lekë në masën 100 për qind. Për këto shkelje, KLSH ka rekomanduar rreth 840 masa disiplinore dhe ka bërë 23 kallëzime penale.