Napolitano: emi mirënjohës për kontributin e shqiptarëve në Itali

60

kuvendi-napolitanoPresidenti i Italisë, Giorgio Napolitano mbajti ditën e sotme një fjalim në Parlamentin shqiptar. Në fjalën e tij, ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa shtoi se ato do të konsolidohen edhe më shumë në të ardhmen.

Ai tha se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. “Është e qartë për të gjithë që Shqipëria e ka vendin në BE. Shqipëria nga ana e saj ka treguar se ka bërë dhe mund të bëjë ende më shumë për Europën”, tha Napolitano.

Presidenti italian vlerësoi së tepërmi edhe projektin e gazsjellësit TAP, duke shtuar se Italia dhe Shqipëria po bashkëpunojnë mjaft ngushtë në fushën e energjetikës.

Duke folur për lidhjen e ngushtë mes dy popujve, Napolitano e cilësoi popullin shqiptar si një popull mik. “Ju jeni popull me shumë vlera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ju strehuat hebrenjtë dhe keni ndihmuar shumë ushtarë italianë, pavarësisht se ata mbërritën në vendin tuaj si pushtues. Ne nuk do ta harrojmë mbështetjen tuaj”, tha Napolitano.

Më tej, ai theksoi se Italia e ka mbështetur gjithnjë Shqipërinë, që kur vendi ynë nisi të krijonte institucionet e para demokratike.

“Gjatë të gjithë historisë së vendit tuaj, ju kemi qëndruar pranë dhe kemi ndihmuar që të konsolidoni shtetin, të përmirësoni kushtet e jetesës dhe të bëni përparime. Ne ju përcjellim besim , te ju dhe institucionet tuaja. Inkurajoj popullin mik shqiptar që të ndjekë me këmbëngulje integrimin e vendit.

Udha evropiane është shndërruar në një objektiv të të gjitha forcave politike. Besoj se është detyrë e institucioneve evropiane të realizojnë këtë objektiv.

Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta çelë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota”, tha Napolitano.

Më tej, Napolitano vlerësoi rolin e shqiptarëve të Italisë, i cili sipas tij, ka qenë mjaft i vyer për historinë e vendit që ai përfaqëson.