Mützenich: Shqipëria e kaloi me sukses provën e zgjedhjeve

58
foto DW
foto DW

DW

Shqipëria e kaloi testin e zgjedhjeve, por për marrjen e statusit do të shihen edhe aspekte të tjera. Intervistë me Dr. Rolf Mützenich, zëdhënës për politikën e jashtme i grupit parlamentar të SPD-së.

DW: Zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin edhe një test i rëndësishëm për pjekurinë e demokracisë, duke pasur parasysh aspiratat e vendit për integrim evropian. A e kaloi Shqipëria me sukses këtë provë?

Mützenich: Patjetër! Unë mendoj se ky rezultat zgjedhjesh, i cili u pranua edhe nga pala humbëse, këto zgjedhje të cilat rezultuan me më pak parregullsi nga sa ishte shprehur frika fillimisht, do të merren parsysh në shqyrtimin e BE-së në të ardhmen. Por ata që kaluan testin e pjekurisë ishin në radhë të parë zgjedhëset dhe zgjedhësit në Shqipëri.

DW: Si janë premisat që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë?

Mützenich: Kjo duhet parë me kujdes. Zgjedhjet si të tilla nuk mund të jenë i vetmi kriter. Ka edhe çështje të tjera, të cilat duhet të jenë në fokus, veçanërisht zhvillimi i politikave sociale dhe si do të bëhet krjimi i qeverisë. Pra nëse qeveria e re do të tregojë mirëkuptim për forcat e ndryshme dhe si të thuash do të përpiqet për gjetjen e një koalicioni më të gjerë, duke përfshirë edhe opozitën në çështjet vendimtare për fatet e vendit.

DW: Fushata elektorale në këto zgjedhje u karakterizua në masë të madhe nga akuza dhe kundërakuza të partive / koalicioneve në garë. Tonet janë zbutur pas zgjedhjeve por një pjesë e zgjedhësve që me votën e tyre vendosën për roatacionin e pushtetit, duan të shohin vënien para përgjegjësisë të atyre që mund të kenë abuzuar me pushtetin. Si mund të arrihet vënia para përgjegjësisë e fajtorëve me nevojën për kompromis dhe për unitet të vendit?

Mützenich: Mendoj se qeveria e re në radhë të parë duhet të vendosë si kriter atë që ka kërkuar nga qeveria e vjetër, pra në veçanti të përfshijë në proces konsensusi edhe pakicat politike. Vendi mund të zhvillohet vetëm nëse garantohen të drejtat themelore. Mendoj se në periudhë afatgjatë është e nevojshme përfshirja e të gjitha forcave në qeverisje. Në veçanti mendoj se gjatë viteve të ardhshme do të jetë e rëndësishme të arrihet në vend një lloj pajtimi i qartë, që shoqëria të mos jetë e ndarë në dy grupe të papajtueshme me njëri-tjetrin.

DW: Koalicioni i majtë u paraqit në fushatë me një program ambicioz sa u takon elementeve sociale. Vetë kreu i Partisë Demokratike, kryeministri në largim Sali Berisha, e cilësoi këtë program si utopik dhe deklaroi se një nga arsyet e humbjes ishte fakti që kampi i djathtë nuk ishte i gatshëm të bënte premtime, që nuk mund të realizohen në realitet. A pajtohet një program i tillë me elemente të forta sociale, me një zhvillim me frymëmarrje të lirë të ekonomisë së tregut? Apo forcat e tregut duhet të veprojnë të lira pa ndërhyrje të shtetit?

Mützenich: Unë besoj se është gabim të mendosh që tregu mund të rregullojë gjithçka. Në veçanti zhvillimet e viteve të fundit e kanë hedhur poshtë këtë teori. Sipas mendimit tim ajo që vazhdon ta karakterizojë Evropën është një masë e caktuar përkujdesje bazë e ofruar nga shteti, qoftë sa i takon kujdesit shëndetësor, qoftë sa i takon arsimit apo infrastrukturës. Kjo nënkupton një funksion përkujdesës të shtetit, i cili sigurisht bazohet në gatishmërinë e shoqërisë që të kërkojë nga ata që kanë më shumë, të mbajnë një barrë më të rëndë. Pra kombinimi i ndërhyrjes së shtetit për garantimin e shërbimeve sociale me ekonominë e tregut, është jo vetëm i mundur por edhe një parakusht për një model evropian, i cili vazhdon të miratohet në botë. Unë mendoj se në të ardhmen ky model social evropian duhet të forcohet dhe për këtë duhet të punojnë në veçanti partitë socialdemokrate dhe socialiste.

DW: Shqipëria ka një nga popullsitë më të reja në Evropë. Por rinia shqiptare përballet aktualisht me probleme serioze sa i takon papunësisë, mundësive të arsimimit dhe shanseve në tregun e punës. Çfarë mund të bëjë qeveria e re e Shqipërisë në këtë drejtim?

Mützenich: Unë sigurisht nuk mund të jap këshilla nga larg, por duke iu referuar eksperiencës sonë mund të them se Gjermania tregoi forcën e saj në vitet 70-të duke u përpjekur nga njëra anë ta bëjë sistemin arsimor aksesibël, duke ndihmuar për barazi shansesh ata, të cilët për arsye familjare nuk kishin mundësi. Në fund kjo ndihmoi dhe shoqërinë në Gjermaninë Perëndimore për t’u pajtuar pas konfrontimeve të ashpra gjatë revoltave të studentëve. Mendoj se nga BE duhet të vijë një ndihmë për rininë në vendet në jug të Evropës, por edhe për ato vende, që nuk janë ende anëtarë të BE-së. Kjo është edhe në interes të BE-së për të krijuar stabilitet social dhe kusht për këtë lloj stabiliteti është që rinisë t’i ofrohen shanse. Këshilla ime e dytë në këtë drejtim është që partitë të kujdesen që në radhët e tyre të kenë të rinj të angazhuar politikisht. Ata duhet të jenë fytyra e së ardhmes. Pra në pozicionet politike të mos jenë vazhdimisht vetëm “burra të vjetër” por t’u jepet një shans edhe të rinjve, vajza dhe djem.

Dr. Rolf Mützenich është deputet në Bundestag dhe zëdhënës për politikën e jashtme i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD).

Intervistoi: Eliana Xhani