Në këtë mbledhje ka marrë pjesë ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, por nuk a pasur asnjë deputet nga Partia Demokratike.
Pavarësisht rikthimit në Kuvend pas një bojkoti mbi 5- mujor, këtë të premte opozita nuk është bërë pjesë e Komisionit Parlamentar të ngritur për reformën në drejtësi. Për këtë, ministri Naço i bëri ftesë opozitës të jetë pjesë e këtij procesi.
“Ftoj opozitën të vijë në këtë komision të posaçëm, pasi jemi dakord të gjithë që drejtësia nuk funksionon”, tha Naço.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj. “Në mbledhjet e tjera presim edhe ardhjen e opozitës dhe do të diskutojmë çështje më në detaje”, tha ai.
Në mbledhjen e parë të komisionit për reformën në drejtësi, e cila u mbajt gjatë muajit dhjetor, opozita nuk ishte e pranishme për shkak të vendimit politik për të bojkotuar çdo veprimtari parlamentare.
Ndërkohë, të martën në Tiranë do të vijë Presidenti i Komisionit të Venecias, ku do të ketë takime të nivelit të lartë. “Do të flitet për reformën në drejtësi dhe atashimin e Komisionit të Venecias për këtë reformë”, tha ministri Naço.
“Gjykata e Lartë ka sjellë specialistët. Gjithashtu, i kanë sjellë Prokuroria e Përgjithshme. KLD etj. Kemi përgatitur një dokument analitik që do e bëjmë publik javën tjetër. Aty janë të gjitha tezat që kanë dalë nga takimet e nivelit të lartë. Ne po punojmë së bashku me Euralius, që të kemi mënyrën si do vlerësojmë gjyqtarët. Strategjia e ministrisë së Drejtësisë për drejtësinë shumë shpejt gati”, theksoi ministri Naço.
Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur nga Kuvendit për reformën në drejtësi do të punojë deri në muajin qershor.