Cilido nxënës normal i shkollës së mesme duhet ta dijë se piramidat e Egjiptit u ndërtuar 4.500 deri në 2.000 vjet para erës sonë nga faraonët, mbretërit e lashtë egjiptianë. Por studimet më të fundit i kanë vënë arkeologët përpara disa enigmave të mëdha.
A kanë qenë vërtet egjiptianët ndërtuesit e piramidave të Egjiptit ?
Le ta fillojmë me përshkrimin e tri prej piramidave më të famshme : është fjala për tri piramidat e rrafshit të Gizës. Njëra prej tyre, piramida e Keopsit, është piramida më e madhe në botë dhe deri në shekullin e 20-të ajo ka qenë ndërtesa më e lartë në botë. Arkeologët dhe egjiptologët janë të gjithë dakort në një pikë: piramida e Keopsit është vepra më e arritur nga të gjitha piramidat e tjera. Menjëherë pas saj vijnë dy piramidat e tjera të ndërtuara shumë pranë saj, por me përmasa më të vogla.
Mirëpo studimi i piramidës së Keopsit nxjerr në pah disa cilësi të habitshme të saj.
Së pari, kjo piramidë është vendosur saktësisht në qendrën e rëndesës së kontinenteve. Për më tepër nëse heqim dy vija pingule veri-jug dhe lindje-perëndim, këto vija i ndajnë kontinentet në katër pjesë plotësisht të barabarta për nga sipërfaqja. A janë këto thjesht rastësi ? Si është e mundur që egjiptianët ta kenë ndërtuar piramidën pikërisht në një vend të tillë ?
Le të kthehemi te versioni zyrtar. Sipas historianëve dhe librave të historisë, piramida e Keopsit u ndërtua rreth viteve 2.580 para erës sonë dhe ndërtimi i saj zgjati 20 vjet. Për realizimin e saj janë përdorur 2 milionë e 300.000 mijë gurë disa prej të cilëve arrijnë peshën deri në 9 tonë. Pesha totale e gurëve të përdorur është 6.5 milionë tonë.
Dy arkeologë të njohur Xhon Uest dhe Robert Shosh ngritën për herë të parë një hipotezë që tronditi gjithë historinë e Egjiptit të lashtë. Ata kishin arritur në përfundimin se piramidat e Gizës, pra ajo e Keposit dhe dy të tjerat nuk ishin ndërtuar nga Keopsi dhe pasardhësit e tij, por kishi egzistuar që përpara ardhjes së tyre në pushtet. Dy arkeologët besonin se piramidat në të vërtetë ishin ndërtuar diku rreth 12.000 vjet para erës sonë, në njëkohë kur asnjë qytetërim nuk egzistonte në botë. Në fakt të dhënat historikë për ndërtimin e piramidave të Gizës janë të pakta. Për herë të parë ato i përmend historiani i vjetër grek Herodoti. Ai thotë se piramida e madhe e Keopsit u ndërtua prej vetë faraonit për të shërbyer si varr pas vdekjes së tij. Për këtë u deshën 20 vjet punë dhe 100.000 njerëz. Mirëpo këto të dhëna nuk janë shumë të besueshme. Që në kohën e tij Herodoti quhej nga bashkëkohasit si “babai i gënjeshtrave”. Duhet theksuar gjithashtu se Herodoti ishte shkolluar në Shkollën Egjiptiane të Mistereve ku ishte betuar të mos tregonte asgjë për të fshehtat e monumenteve të vjetra. Me sa duket në vend të historisë së vërtetë ai ka paraqitur thjesht një version popullor të viteve të tij.
Sidoqoftë versionin e Herodotit e kundërshtojnë një numër i madh burimesh egjiptiane, çifute, greke, romake dhe arabe, sipas të cilave piramida e Keopsit nuk ishte ndërtuar gjatë jetës së vetë faraonit, por mijëra vjet përpara tij. Këto burime flasin për një epokë misterioze që quhet prej tyre “epoka e perëndive.
Një nga provat që paraqitën historianët për të kundërshtuar këto argumente revolucionare ishin edhe mbishkrimet e gjetura në dhomën e mbretit. Është fjala për mbishkrime midis të cilave gjendet edhe emri i faraonit Keops. Mirëpo analizat e mëtejshme vërtetuan se këto mbishkrime ishin bërë nga arkeologu Riçard Hauard-Uajz në 1837 dhe nuk ishin mbishrkime origjinale egjiptiane.
Pra duket qartë se diçka e fshehtë fshihet pas mureve të piramidës.
Shumë kohë më pas arkeologët zbuluan një dokument me vlerë të jashtëzkonshme që e ndezi edhe njeherë misterin e moshës së piramidës. Në lindje të piramidës së madhe të Keopsit, arkeologët zbuluan testamentin e faraonit legjendar Keops. Deshifrimi i testamentit i la arkeologët pa frymë: vetë Keopsi shkruante se ai nuk e kishte ndërtuar piramidën, por vetëm e kishte restauruar në disa vende. Keopsi flet edhe për disa zbulime të bëra ndërkohë që pastronte rërën prej piramidës së tij dhe Sfinksit. Ai shkon akoma më larg kur e quan piramidën “shtëpia e perëndeshës Isis”.
Ja një pjesë nga testamenti i faraonit:
“Unë sakrifikova për Isisin një qingj dhe pastaj rindërtova tempullin e saj prej guri. Më pas, vizitova Sfinksin madhështor. Kur isha pranë Sfinsksit një rrufe e fuqishme goditi pemën e sikamorit dhe Sfinksin. Unë e riparova Sfinksin menjëherë.”
Në testamentin e tij Keopsi flet edhe sesi kishte ndërtuar tri piramida të vogla për vete, gruan dhe vajzat e tij. Këto piramida egzistojnë ende dhe gjenden në lindje të piramidës së madhe. Deri tani arkeologët kanë vërtetuar se njëra prej piramidave të vogla ishte përdorur vërtet si varr i njërës prej grave të faraonit.
Historia zyrtare gjendet tani përpara vështirësive serioze. Nëse Keopsi është autori i piramidës, përse ai nuk e përdori vetë atë ? Arkeologët mendonin se tri piramidat e mëdha të Gizës ishin ndërtuar prej faraonëve për të shërbyer si varre për ata vetë. Mirëpo, përse asnjëri prej tyre nuk i kishte përdorur piramidat si strehën e tyre të fundit. Përse Keopsi thotë në testament se ai vetëm e ka restauruar piramidën dhe nuk është ndërtuesi i saj ? Nëse piramidën e madhe nuk e ka ndërtuar Keopsi, atëherë kush kishte mundur ta ndërtonte atë ?
Ashtu siç thoshte edhe Albert Ajnshtajni “përfytyrimi është shumë më i rëndësishëm sesa dituria”. Pikërisht tani arkeologët gjendeshin përpara një misteri të madh. Kush mund të ishte në të vërtetë ndërtuesi i piramidës së madhe ? Me dhjetëra hipoteza nga më fantastiket vërshuan mjediset akademike.
Në fakt sipas vetë burimeve egjiptiane piramida e madhe kurrë nuk konsiderohet si pronë e një faraoni të caktuar, por si një kryevepër e ndërtuar prej perëndive të vjetra. Krnistët e lashtë, Roman Marcelinus, Al Masudi dhe Ibn Alhokimi që kishin përmbledhur legjendat e lashtësisë, dëshmonin se piramida ishte ndërtuar për të ruajtur diturinë e një qytetërimi të mrekullueshëm nga përmbytjet e lumit Nil. Dhe me sa duket ishin pikërisht këto përmbytje që e shkatëruan këtë qytetërim. Këta kronistë e vendosin origjinën e piramidës së madhe të Keopsit diku rreth 10.000 vjet para erës sonë. Çuditërisht kjo datë përputhet pak a shumë me kohën kur sipas Platonit ishte shkatërruar kontinenti misterioz i Atlantidës. Dhe është pikërisht koha kur planeti Tokë u godit nga një varg ndryshimesh dramatike klimatike si pasojë e përfundimit të epokës së akullnajave dhe shkrirjes së tyre. Gjeologët e mbarë botës kanë vërtetuar se shkrirja e akullnajave u shoqërua me përmbytje me përmasa gjigande që kishin shkatërruar pjesë të tëra të planetit duke zhdukur plot zona të banuara dhe duke bërë kërdinë në florën dhe në faunën e tokës. Ndoshta njëra prej këtyre përmbytjeve ka qenë edhe ajo për të cilën flitet në Bibël dhe në Kuran. Ndoshta një përmbytje e tillë ksihte shkatërruar edhe qytetërimin misterioz që mund të kishte ndërtuar piramidën e madhe.
Gjeologët vërtetuan se gjatë kohës së përmbytjeve të mëdha deti Mesdhe ishte fryrë nga akujt e shkrirë duke ndikuar edhe që lumi Nil të përmbyste pothuajse krejt Egjiptin duke arritur një masë rreth 1.000 herë më të madhe sesa ajo e zakonshmja. Kjo kishte ndodhur afërsisht 10.000 vjet më parë. Për më tepër gjeologët gjetën një shtresë 10 metërshe llumi në bazën e piramidës dhe jo vetëm kaq. Bashkë me llumin ata zbuluan edhe shumë fosile të guackave të detit që datonin afërsisht 10.000 vjet. Dukej qartë se në një kohë të caktuar uji i detit kishte arritur deri tek piramida e madhe. Madje, edhe brenda piramidës së madhe, gjeologët zbuluan një shtresë të trashë kripe detare.
Por nëse përmbytja e madhe ka ndodhur 10.000 vjet para erës sonë, atëhere në mënyrë logjike mund të mendohet se piramida e Keopsit ishte ndërtuar shumë kohë përpara saj.
Megjithë faktet e shumta, një pjesë e egjiptologëve e kanë të vështirë të heqin dorë nga ideja e tyre se Keopsi ishte ndërtuesi i piramidës së madhe. Mirëpo fakte të reja mbështetën më shumë se kurrë hipotezën se dikush tjetër e kishte ndërtuar piramidën e madhe mijëra vjet para se Keopsi të mbretëronte Egjiptin.
Në vitin 1983 prehistoriani Robert Uenke nga Universiteti i Uashingtonit mori leje nga qeveria egjiptiane për të analizuar mbetjet e gjallesave që ishin gjetur në brendësi të piramidës.
“Fillimisht analizat treguan data nga më të ndryshmet, mirëpo pas një studimi më të thellë doli që mosha e fosileve të gjetura në bazën e piramidës, kryesisht insekte, i afrohej viteve 3.100 para erëë sonë. Deri këtu gjithçka përputhej. Mirëpo një zbulim i dytë do ti trondiste studiuesit. Fosilet e pjesës së sipërme të piramidës ishin rreth 1.000 vjet më të vjetra se fosilet e pjesës së poshtme. Kjo ishte e pabesueshme. Sipas analizave dukej sikur piramida e madhe ishte ndërtuar së prapthi, pra nga koka drejt sipërfaqes së tokës, gjë që natyrisht për ne nuk ka kuptim.”
Fakti që fosilet e gjetura ishin përafërsisht të kohës së Keopsit, në fund të fundit mund të dëshmonin vetëm ato që ai kishte shkruar edhe vetë në testamentin e tij: që riparimet ishin bërë pikërisht në atë kohë. Mirëpo fosilet nuk mund të argumentonin se piramida ishte ndërtuar vërtet në kohën e Keopsit.
Për të vërtetuar hipotezën se piramida e madhe nuk ishte ndërtuar nga Keopsi, arkeologët përdorën edhe një lloj tjetër argumenti. Ishte e qartë se piramida e quajtur e Keopsit dhe dy piramidat e tjera pranë saj ishin më të përsosurat nga të gjitha piramidat e tjera egjiptiane. Midis tyre kishte një ndryshim të mahnitshëm. Hipoteza ishte e thjeshtë. Nëse piramida e madhe e Keopsit ishte ndërtuar në të vërtetë para 10.000 vjetësh, atëherë ajo kishte shërbyer si model për të gjitha piramidat e tjera egjiptiane. Me fjalë të tjera faraonët e lashtë thjesht kishin imituar piramidën e madhe duke dashur ti afrohen madhështisë së saj. Kështu arkeologët iu vunë krahasimit të piramidave.
Fakti i parë që të bie në sy është se ndërtimi kronologjik i piramidave nuk është linear. Piramidat e Gizës ku bën pjesë edhe piramida e madhe e Keopsit, u ndërtuan sipas historianëve gjatë periudhës së Dinastisë së Katërt nga Keopsi dhe dy pasrdhësit e tij Kefreni dhe Menkari. Mirëpo kronologjia e piramidave nuk i bindet logjikës historike. Nëse Keopsi ishte vërtet ndërtuesi i piramidës së madhe, atëherë logjikisht pasardhësi i tij duhet të kishte ndërtuar një piramidë akoma më të madhe dhe më të bukur. Ky ishte nja zakon i mbretërve të lashtësisë. Asnjë mbret nuk do të ksihte pranuar të kishte një piramidë më të vogël se ajo e parardhësit të tij. Mirëpo në vend që të ishte më e madhe dhe më e bukur, piramida e dytë e Gizës, ajo e Kefrenit është më e vogël dhe më pak madhështore se ajo e Keopsit. Ndërkohë piramida e tretë e Gizës, ajo që i atribohet faraonit Menkar, ishte akoma më e vogël dhe më pak e sofistikuar. Në vend që të përparojë me kalimin e kohës, ndërtimi i piramidave ka rënë çuditërisht.
Duket qartë se ka një problem kronologjik me piramidat e Gizës. Por çfarë mund të thuhet nëse përdoret hipoteza e kundërt sipas së cilës Keopsi dhe faraonët e tjerë pas tij nuk i ndërtuan piramidat, por i gjetën të gatshme duke i pritur që prej mijëra vjetësh. Atëherë gjithçka bëhet e qartë. Keopsi, faraoni i parë i Dinastisë së Katërt mori për vete piramidën e madhe, Kefreni faraoni i dytë, piramidënmë të vogël, ndërsa për të tretin Menkarin mbetej vetëm piramida e tretë, ajo më e vogla. Të njëjtën gjë vërteton edhe linja e piramidave të tjera. Siç thamë më lart, piramidat e tjera më të vjetra ose më të reja janë shmë larg madhështisë së tri piramidave të Gizës. Nëqoftëse piramidat e tjera nga Dinastia e Tretë deri në Dinastinë e Trembëdhjetë janë ndërtuar të gjithë nga faraonët, atëherë logjikisht cilësia e tyre duhet të ishte në rritje të vazhdueshme. Mirëpo ajo që ne shohim është se piramidat e para janë shumë poshtë piramidave të Gizës. Pastaj vijnë piramidat e Gizës me madhështinë e tyre dhe më pas piramidat e tjera të cilat njësoj si piramidat e para janë të një cilësie shumë më të dobët. Duket sikur egjiptianët kanë krijuar një teknologji të pabesueshme për ndërtimin e piramidave vetëm gjatë kohës së Dinastisë së Katërt, pra kohës së Keopsit, dhe më pas ata harruan menjëhere sesi ndërtohen piramidat. Kjo natyrisht duket e pakuptimtë. Mirëpo gjithçka merr kuptim nëse pranojmë se piramidat e mëdha të Gizës ishin ndërtuar shumë kohë përpara të tjerave dhe jo gjatë Dinastisë së Katërt. Rrjedhimisht piramidat e Gizës kishin shërbyer si model për faraonët egjiptianë të cilët ishin përpjekur të imitonin piramidën e madhe, por pa mundur kurrë të arrinin madhështinë e saj.
Një fakt tjetër interesant është ai se ndërsa faraonët e tjerë janë varrosur në piramidat që kanë ndërtuar vetë, as Keopsi dhe as dy pasardhësit e tij nuk janë varrosur në piramidat që mbajnë emrat e tyre. Është e qartë se Keopsi nuk e konsideronte piramidën e madhe si varr të ardhshëm për veten e tij. Sikurse tregon edhe ai vetë në testament, piramida e madhe nuk ishte varri i tij, por shtëpia e perëndeshës Isis.
Edhe një hollësi tjetër e rëndësishme. Dhoma e sipërme e mbretit në piramidën e madhe të Keopsit është zbuluar shumë vonë. Me sa duket as vetë faraonët egjiptianë nuk ishin në dijeni të saj. Këtë e shpjegon fakti se në asnjë nga piramidat e tjera, përveç atyre të Gizës, nuk kishte dhoma të sipërme sekrete. Gjitahstu vetëm piramida e madhe ishte e drejtuar saktësisht nga veriu, kusht që asnjë piramidë tjetër nuk e përmbushte në nivel të kënaqshëm. Dhe jo vetëm, piramida e madhe ishtë ndërtuar mbi bazën e një dizajni të panjohur për faraonët e tjerë më të rinj ose më të vjetër egjiptianë. E njëjta gjë vlen për madhësinë e gurëve të përdorur dhe për teknikën e habitshme të lidhjes mes tyre.
Dhe së fundi, ajo që është më e çuditshmja, ndryshe nga të gjitha piramidat e tjera, piramidat e Gizës nuk kanë asnjë vizatim fetar apo artistik në dhomat e tyre të sipërme. Ndërkohë dihet që të gjitha piramidat e tjera ishin të mbushura me vizatime karakteristike fetare dhe simbolike.
Të gjitha karakteristikat e përmendura e bëjnë piramidën e madhe të Gizës të dallohet nga piramidat e tjera. Shumë arkeologë mendojnë aktualisht se ajo nuk ishte vepër e Keopsit, por e dikujt tjetër. Në fakt, ajo piramidë gjendej në truallin Egjiptian mijëra vjet përpara mbretërimit të Keopsit.
Por kush mund të kishte ndërtuar një piramidë të tillë ?
Një qytetërim i lashtë njerëzor që kishte arritur në një shkallë jashtëzakonisht të lartë teknologjie dhe njohjeje të botës dhe hapësirës. Apo ndoshta jashtëtokësorët ?
Si shumë enigma të tjera edhe ajo e piramidës së madhe të Keopsit ka mbetur ende sot e kësaj dite e pazgjidhur. Askush nuk është i gatshëm për të dhënë përgjigjen përfundimtare.