Kryetari Meta u shpreh se Shqipëria është e vendosur të avancojë me reformat e nisura, dhe në këtë drejtim vlerësohet forcimi i bashkëpunimit konkret mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian, por veçanërisht në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe forcimit të stabilitetit në rajon.
Presidenti Plevneliev u shpreh se Bullgaria qëndron përkrah Shqipërisë, duke theksuar se avancimi i merituar dhe zhvillimi i Shqipërisë është histori suksesi për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, Presidenti Plevneliev nënvizoi se përqasja rajonale është kyçe për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë vendeve të rajonit tonë. Në përfundim, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Presidenti i Bullgarisë z. Rosen Plevneliev ndanë bindjen e përbashkët se intensifikimi i bashkëpunimit bilateral dhe rajonal duhet përqendruar në rivitalizimin e projektit të Korridorit VIII, me fokus në fushat e energjisë dhe infrastrukturës.