Rama takon Plevneliev, vullnet reciprok për bashkëpunim ekonomik

18

RamaKryeministri Edi Rama priti sot në takim, Presidentin e Bullgarisë Rosen Plevneliev. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, që ngrihen mbi miqësinë e hershme. Mbi këtë bazë, u shpreh vullneti reciprok për t’i zgjeruar e thelluar më tej këto marrëdhënie, veçanërisht në sferën ekonomike dhe të projekteve me rëndësi rajonale e më gjerë.

Presidenti Plevneliev, teksa nënvizoi se e njeh dhe e vlerëson punën që zoti Rama ka bërë për Tiranën, në detyrën e tij si kryebashkiak, u shpreh se me eksperiencën e frytshme dhe ndryshimin që solli për Tiranën, do të sjellë ndryshime pozitive edhe për vendin.

Kryeministri Rama i shprehu Presidentit Plevneliev mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare mirëpret çdo kontribut të mëtejshëm në këtë proces.

Nga ana e tij, Presidenti Plevneliev garantoi për mbështetjen mëtejshme dhe se Bullgaria ka kënaqësinë të ndajë me Shqipërinë, përvojën e saj të integrimit.