“Ndërmarrja e Shërbimit Funeral ka njoftuar zyrtarisht ezaurimin e të gjitha hapësirave edhe në varrezën e Tufinës, pasi në atë të Sharrës janë ezaurur prej kohësh”, -thuhet në njoftimin për shtyp që bashkia e Tiranës u ka dërguar mediave. Përveç vuajtjes që kalojnë njerëzit kur i vdes një i afërm, tashmë qytetarët e Tiranës duhet të vuajnë edhe faktin se nuk kanë ku ta varrosin njeriun e tyre.
Në këto kushte, teksa gjendja duke alarmante, bashkia e Tiranës akuzon qeverinë se nuk e ka marrë në konsideratë këtë shqetësim, duke mos i hapur rrugë shpronësimit të tokës për interesin publik, si dhe i bën thirrje që të ndërhyjë sa më parë për të zgjedhur këtë problem.
“Prej muajsh, shqetësimi i është përcjellë qeverisë shqiptare, e cila vazhdon të mos e marrë në konsideratë këtë shqetësim të qytetarëve të Tiranës. Mungesa e vendimit të qeverisë që i hap rrugën shpronësimit për interes publik bën të pamundur vazhdimin e kryerjes së ceremonive mortore në të dy varrezat publike të Tiranës në Sharrë dhe Tufinë. Duke shprehur keqardhjen për situatën e krijuar, i kërkojmë qeverisë të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e kësaj problematike të krijuar nga bllokimi i saj”, -thuhet më tej në njoftim.