“Ata që deri dje dështuan ta luftonin krimin, sot po ankohen se Policia është rikthyer në krye të detyrës dhe po lufton për rikthimin e shtetit ligjor. Rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e akteve kriminale kanë aq domethënëse sa duket se kanë shkaktuar frikë e pakënaqësi jo vetëm te kriminelët, por edhe te ata që me paaftësinë, korrupsionin dhe inkriminimin e tyre i krijuan terrenin e favorshëm krimit të shtrinte metastazat e tij ngado.
MB-ja thotë se prej dy ditësh, përfaqësues të lartë të opozitës janë duke u përpjekur të përbaltin punën e Policisë së Shtetit. “Mashtrimet, shpifjet dhe vreri i opozitës vijnë pikërisht në momentin kur policia po tregon se është në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e papërlyer dhe e pandikuar nga tendencat korruptive. Shembulli më i qartë i kësaj qasje të re të Policisë së Shtetit është aksioni për zbulimin e një grupi me lidhje kriminale nga më të rrezikshmet, ku po arrestohen persona që deri dje dukeshin të paprekshëm nga ligji”.
“PD-ja ka zgjedhur të bëjë politikë me krimin, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin. Politika e PD-së frymëzon krimin, lufta jonë po e zmbraps përditë krimin. Përpjekja e dëshpëruar e PD kundër Policisë së Shtetit është e destinuar të dështojë, njësoj siç po dështon kundërveprimi i krimit ndaj aksionit energjik e të vendosur të Policisë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e shtetit janë të vendosura të vazhdojnë luftën kundër kriminalitetit të rrugës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke qenë të bindur se beteja për shtetin ligjor dhe drejtësinë është më e madhe se sa beteja kundër krimit”.