Marrëveshja e Tregtisë Kosovë-Turqi, 20 milionë euro në vit dëme për buxhetin kosovar

57

fotoMarrëveshja për Tregti të Lirë (MTL) me Turqinë, të cilën ditë më parë e nënshkroi Ministrja, Mimoza Kusari-Lila, dhe Ministri i Ekonomisë i Turqisë, Zafer Caglan, mendohet se do të dëmtojë buxhetin e Kosovës me rreth 20 milionë euro në vit, sipas Kohanet.

Burimet e gazetës “Zëri” brenda Doganave të Kosovës theksojnë se, kjo marrëveshje në aspektin buxhetor është “autogol” për vendin.

“Turqia eksporton mallra në Kosovë rreth 200 milionë euro në vit, përderisa eksporti i Kosovës atje sillet rreth 8 milionë euro. Me këtë marrëveshje dëmet në buxhetin e Kosovës arrijnë shifrën prej rreth 20 milionë euro”, bëjnë të ditur burimet e gazetës, sipas të cilëve, përfitues kryesor nga kjo marrëveshje është tregtia turke.

Kjo MTL me Turqinë vlerësohet gjithashtu se do t’i dëmtojë rëndë prodhuesit vendorë, të cilët vështirë se do të përballen me konkurrencën e kompanive turke që do të mundë të sjellin mallra në Kosovë pa iu nënshtruar taksës doganore.

Bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Turqia është eksportuesi i katërt më i madh në Kosovë, pas Serbisë, Italisë dhe Gjermanisë.