Linda Rama: Dhuna në familje, problem shqetësues

85

linda rama ‘Dhuna në familje mbetet një problem shqetësues në vendin tone”, u shpreh sot bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, gjatë edicionit të 5-të të aktivitetit “Simfonia e jetës”, të organizuar me rastin e festave të 7 dhe 8 marsit, në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku merrte pjesë edhe bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës, zonja Lumnije Thaçi.

Duke përcjellë mesazhin e rëndësisë së përçimit të vlerave të shoqërisë, Znj. Rama theksoi se, kriza në vendin tonë është ekonomike dhe morale.

“Prehri i nënës dhe gjyshes është oborri më i pastër për rritjen e gjithçkaje që korret më tutje. Ndaj me ju bindjen se ne si vajza dhe gra, ta përçojmë atë që kemi marrë, dhe ta mbrojmë nëse ajo cënohet rrotull nesh. Po kështu përmend punën e shumë mësueseve, mjekeve, grave sipërmarrëse, politikaneve, etj; të cilat çdo ditë përballen me një sfidë më shumë, vetëm sepse janë gra”, tha znj. Rama.

Por, vijoi ajo, “nuk mund të mos përmendim edhe plagët që ndeshim në shoqërinë tonë, sa i takon edhe dhunës. Shprehjet e dhunës janë shtuar në vitet e fundit, dhe kjo na bën të ndihemi keq”.

“Ka dhunë në familje. Dhuna në familje është një fenomen shqetësues. Nuk ka institucione më të dobishme, nëse shoqëria nuk e penalizon gjuhën e ashpër. Kriza jonë është ekonomike, por edhe morale”, u shpreh zonja Linda Rama.

Ndërsa znj. Lumnije Thaçi u ndal tek rëndësia e emancipimit të grave, duke u shprehur se “Raporti i gruas me familjen dhe shoqërinë është një çështje thelbësore e rinisë dhe demokracisë”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishme gjithashtu gra të përfshira në fusha të ndryshme të jetës politike, kulturore, artistike, etj.

Për të pranishmet, në kuadër të këtij aktiviteti ishte përgatitur edhe një program artistik.