Qëllimi i përdorimit nuk ishin votat, por pengimi i Gjykatës së Lartë për të dhënë vendimin e pafajësisë. Pasi nuk arriti të pengonte vendimin që dha Gjykata Kushtetuese, prej dy vjetësh vëmendjen e ka përqendruar tek Gjykata e Lartë, fillimisht për të penguar dhënien e vendimit para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.
Deklaratat e tij shpifëse u bënë mbështetëse për shërbëtorët e tij në Gjykatën e Lartë. Me ndihmën e tyre ata ia dolën t’i mbanin nën presion kolegët e tyre. Nuk jemi të sigurt nëse këta shërbëtorë i raportonin Saliut për hapat që hidhnin, apo trashëgimtarëve të tij. Deri tani jemi të prirë të besojmë fjalët e babait tonë se, “Saliu nuk mund ta bëjë atë që ju dëgjoni, se fëmijëve mund t’u lërë në trashëgim shumëçka, por jo krimet që ka kryer vetë”. Sidoqoftë, e vërteta do mësohet një ditë.
Mirëpo, Saliu po e përdor “Hakmarrjen” edhe pas fushatës elektorale. E përdori dje në Kuvend, si replikë me Kryeministrin për mbylljen e lojërave të fatit. “Aksioni kishte qëllim ti hapte rrugë vëllaçkos të Hakmarrjes për Drejtësi që po fut në Shqipëri qindra kompjutera”,- tha ai, sipas “Shqiptarja.com”. Nuk kuptuam gjë nga kjo shprehje sepse, si shumë herë të tjera, fjalia është ndërtuar enkas për të mbjellë sa më shumë hamendje dhe, mundësisht, të nxisë sa më shumë dyshime për fajtorë pa faj. Nga titujt e shtypit të tij të sotëm lihej të kuptohej se me ato fjalë ka dashur të thotë se lojërat e fatit qenkan mbyllur për t’ia dhënë monopolin e tyre “Hakmarrjes”. Të kuptohemi, nuk po e harxhomë kohën të përgënjeshtrojmë shpifjen e radhës, por duam të qartësojmë opinionin përse Saliu po na përdor edhe pas fushatës. Sepse ai shpreson që, edhe pas humbjes së pushtetin ekzekutiv, gjyqtarë të veçantë në Gjykatën e Lartë do vazhdojnë t’i shërbejnë. Me shpifjet e reja përpiqet t’i motivojë për ta shtyrë dhënien e vendimit sa më shumë në kohë.
Ne po ia themi edhe një herë Sali Berishës se nuk e ndalon dot pafajësinë tonë. Nuk e fsheh dot as krimin që ke kryer. E ke kryer këtë krim për të mbuluar një krim tjetër, atë të vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996 dhe, ashtu si dështove për të mbuluar krimin e parë, ashtu ke për të dështuar edhe me përpjekjet që bën për t’i shpëtuar përgjegjësisë për krimin e dytë, të kryer ndaj nesh.
Një pjesë e opinionit publik për shkak të moshës së re, nuk e di se pas vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996, Sali Berisha u gjend para një problemi të madh dhe, për të mbuluar krimin që kreu faqe botës, gjeti si zgjidhje kryerjen në fshehtësi të një krimi tjetër. Pas shtërzimeve tre-mujore deklaroi se “zbuloi” organizatën kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, që kishte dashur të vriste atë vetë, por edhe që kishte vjedhur disa banka, kishte vrarë disa njerëz, kishte shpërthyer autobombën tek supemarketi “VEFA” etj. Kjo pjesë e opinionit nuk i njeh as “provat” që transmetoi për “fajësinë” tonë. Më 12 tetor 1996 i dha opinionit publik “provën” kryesore të fajësisë, një magazinë të mbushur me armë nga më të ndryshmet. Katër ditë më vonë, opinionit i dha të filmuara të tjera “prova”, bashkë me emrat tanë. “Provat” e dyta ishin armë të filmuara në të tjetra mjedise dhe të ndryshme nga të parat (ky gabim i vogël bëri që “provat” e para t’i zhduknin). Në grupin e dytë kishte edhe eksplozivë, një kasafortë me një milion dollarë, një platformë politiko-kriminale etj. Më pas, e veçanërisht pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë na gjeti të pafajshëm, zotëria, personalisht dhe me shërbëtorët e kudondodhur, i ka atribuuar “Hakmarrjes” dhjetëra krime të tjera.
Historia e provave është historia e fshehjes së Sali Berishës për të mos u përballur me të vërtetën. Ai nuk u përgjigj dot kur i kërkuam botërisht dhe në sallat e gjykatave: ku ishin një milion dollarët që tha, me zë e figurë, se i kapi në kasafortën tonë, heshti për këtë edhe kur, pas shumë vitesh, prokuroria u detyrua t’i pohonte gjykatës se në kasafortë nuk ishte gjetur asnjë dollar; të na tregonte armët e shumta që tha se i kapi në një apartament konspirativë, por, në saje të zellit të shërbëtorëve të tij në prokurori dhe gjykatë, armët nuk i kanë parë avokatët as sot; të na tregonte platformën kriminale që tha se kishim shkruar, por vetëm pas njëmbëdhjetë vjetëve, falë një veprimi të pakujdesshëm të prokurorëve, avokatët patën mundësinë ta preknin me dorë, nga ekspertimi i vonuar i së cilës u provua se me duart e shërbëtorëve e kishte shkërbyer dorëshkrimin e njërit prej të akuzuarve për të prodhuar jo vetëm emërtimin “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, por edhe udhëzimet për të rekrutuar anëtarë që të vrisnin njerëz dhe të vidhnin banka; i kemi kërkuar ditën e parë të punës si Kryeministër që, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, të sekuestronte të gjitha pallatet dhe vilat që, me qindra herë, kishte thënë se i kishim ndërtuar ne me parat e drogës dhe të krimit etj.
U fsheh edhe kur ekspertët e OSBE, pas monitorimit, botuan raportin e tyre dhe e cilësuan të paqenë procesin “Hakmarrja”. U fsheh edhe kur gjykatat e huaja, pas gjykimit tonë (mbi bazën e akuzave të Saliut) na deklaruan të pafajshëm, kurse regjimin e tij e quajtën “klikë të Sali Berishës” që “inskenoi një shou fantazie me një grup terrori Hakmarrja për Drejtësi”. U fsheh edhe kur gjykatat shqiptare i deklaruan të pavlefshme të gjitha provat e tij. Pasgjethnajës së gënjeshtrave u fsheh edhenë rastet e botimeve nga shtypi të disa prej vendimeve të dhëna nga gjykatat e tre vendeve evropiane.
Kështu, burri i vetëshpallur sypatrembur për t’u përballur me të vërtetën, ka dhënë prova të shumta se, për të mos u ballafaquar me të,di t’ia mbathë me ndihmën e gënjeshtrave dhe shpifje të reja.
Leart Shyti & Orik Shyti