Kuvendi i ri, 5 grupe parlamentare

12

kuvendi-i-shqiperise1Kjo legjislaturë e Kuvendit të Shqipërisë pritet të ketë një numër relativisht të lartë të grupeve parlamentare, 5 të tilla, 2 grupe të majta dhe 3 të djathta.

Grupi më i madh parlamentar do të jetë ai socialist, i cili është vendosur nga strukturat e partisë më të madhe të drejtohet  sërish nga Gramoz Ruçi.

Partia Demokratike ka grupin e dytë më të madh në parlament, por kryetari që do të zëvendësoje Astrit Patozin në këtë detyrë do të zgjidhet paraditen e së hënës nga mbledhja e parë e të zgjedhurve për deputetë të Partisë Demokratike që është njoftuar se do të zhvillohet në seline e re të saj, tek ish-SHQUP.

Për drejtues të përkohshëm të grupit demokrat, deri në zgjedhjet e PD–së në dhjetor, janë artikuluar disa emra, por nuk ka asnjë zyrtar.

Lëvizja Socialiste për Integrim, që doli nga këto zgjedhje me 17 deputete do të ketë gjithashtu grupin e tretë parlamentar, ku kryetari do të zgjidhet nga një mbledhje përpara seancës.

Të zgjedhurit për deputetë të kësaj force politike do të vendosin mes Petrit Vasilit dhe Luan Ramës që mësohet se janë kandidatura për kryetar grupi.

Por me grupet e tyre parlamentare do të përfaqesohen edhe PDIU dhe PR, përkatesisht me 5 dhe 4 deputetë. Mësohet nga burime pranë këtyre partive se në mungesë të 7 deputetëve të nevojshëm për këtë strukturë parlamentare, ata po huazojnë deputetë nga Partia Demokratike.