Kodi i heshtjes, ministrat firmosin paktin me Edi Ramën

41

rama ministratMinistrat e përzgjedhur nga Edi Rama që ditën e parë të mbledhjes së qeverisë kanë firmosur Kodin e Vlerave Etike të ministrave. Gjatë punës së tyre si pjesë e kabinetit qeveritar, Kodi i orienton ministrat se si duhet të jetë komunikimi mes tyre, me qytetarët, me deputetët, por dhe me mediat. Edhe pse pak detaje jepen për këtë dokument që qeveritarët e rinj e ruajnë me shumë fanatizëm, ajo që duket është se ky Kod, të paktën në marrëdhënien e kabinetit qeveritar me mediat, ka filluar nga zbatimi që në mbledhjen e parë që Rama zhvilloi me ministrat e tij në Vlorë.

Pas mbledhjeve, si në Vlorë, ashtu edhe në Shkodër, ministrat e rinj nuk kanë pasur asnjë komunikim me mediat, madje nuk kanë tentuar të përgjigjen në celular. Pak ditë më vonë, kur presioni i pikave të këtij Kodi ka qenë më i largët, disa nga ministrat e rinj janë shprehur se “nuk mund të komunikojnë asgjë nga diskutimet që zhvillohen në mbledhjet me Kryeministrin e zgjedhur, pasi duan të ruajnë etikën e re për të cilën kanë firmosur në një dokument”. Për Kodin Etik të ministrave, vetë Rama është shprehur se “bazohet në modelet më të arrira të mirëqeverisjes demokratike”. Mësohet se një nga pikat e Kodit është dhe komunikimi zyrtar që ministrat do të kenë me publikun, pasi të kenë marrë detyrën.

Çdo deklaratë apo komunikim me mediat, para publikimit do të kalojë më parë nga Drejtoria e Komunikimit që do të ndodhet pranë Kryeministrit Rama. Bazuar dhe në përvojat më të mira botërore, Kodi i Vlera Etike i qeverisë Rama kërkon nga ministrat respektim të demokracisë; respektim të qytetarëve, duke e trajtuar çdo qytetar të barabartë përballë ligjit; integritet përballë interesit publik, duke mosavantazhuar veten për shkak të postit publik; përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve dhe detyrave publike; përmirësim të njohurive dhe dijeve të tyre profesionale, të cilat i zbatojnë në punën e përditshme; kujdesi për të krijuar frymë ekipi dhe pune në grup në kabinetin qeveritar etj.

Duket se Kryeministri i zgjedhur, sa i takon marrëdhënies së qeverisë me mediat, do të tentojë centralizimin e informacionit zyrtar, duke i dhënë fund deklaratave shumë herë kontradiktore mes ministrive të së njëjtës qeveri.