Deputeti socialist, Pandeli Majko, njëkohësisht ish-kryeministër, vlerësoi ndryshimet e propozuara, që zgjerojnë rrethin e zyrtarëve që u ndalohet të lidhin kontrata me institucione publike, ndërsa theksoi se korrupsioni në Shqipëri identifikohet si një ‘korrupsion sistemik’.
“Kur flitet për këtë do të thotë që korrupsioni ka prekur bazat e shtetit dhe është e kotë t’i mbushim mendjen vetes se ky korrupsion po funksionon vetëm në këto 6 muaj që është ndërruar qeveria, pasi korrupsioni sistemik që të ngrihet kërkon minimalisht mbi një dekadë. Jemi të dyja palët të zhytura në këtë histori dhe të tillë duhet ta kuptojmë korrupsionin sistemik”, theksoi ish-kryeministri socialist.
Ndryshimet e sjella, sipas tij, prekin sidomos gjyqësorin, ku dhe dëmet që mund të vijnë nga korrupsioni në radhët e njerëzve të drejtësisë, janë shumë më të mëdha.
“Një politikan i keq mund të bëje dëme, por nuk mund të bëjë aq dëme sa një gjyqtar i keq apo i korruptuar, nuk mund të bëjë aq dëme sa një prokuror i keq apo i korruptuar dhe këtë e kemi shumë të qartë”, tha Majko.
Duke u ndalur tek akuzat e opozitës për marrje të kompetencës së Presidentit në zgjedhjen e kreut të ILDKP-së, deputeti i PS-së tha se kryetari aktual i këtij institucioni ishte kandidatura e dytë e propozuar nga Kreu i shtetit. “Kush është sot drejtuesi i ri i ILDKP-së i votuar nga maxhoranca. Shkëlqim Ganaj është kandidati i dytë në listë, bashkë me znj. Zana Xhuka, të propozuar nga i njëjti president dhe që erdhën në parlament me frymën e së njëjtës qeveri, asaj të Partisë Demokratike. Ne e hoqëm Zana Xhukën se nuk i plotësonte kushtet dhe sollëm të dytin. Ç’të keqe ka kjo kur është propozuar nga presidenti. Shkëlqim Ganaj nuk ka pse diskutohet këtu si një njeri që ne e kemi sjellë për të bërë punën e maxhorancës kundër pozitës, por se ai ishte kandidatura e dytë në listë, së bashku me Xhukën”, tha Majko.