Kurtz: Mbështesim çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

84

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se shteti i tij përkrah çfarëdo marrëveshje me të cilën pajtohen mes tyre Kosova dhe Serbia.

Gjatë një konference me Presidentin Hashim Thaçi Kurz theksoi se Austria dhe BE-ja do ta mbështesin edhe korrigjimin e kufirit mes dy vendeve por edhe shkëmbimin territorial.

“Qeveria e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne mbështesim këtë marrëveshje dhe nëse arrihet askush nuk do të jetë kundër saj”, tha kancelari Kurz.

Ai ka thënë se pa një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë perspektivë evropiane për asnjërin shtet.

“Një dialog i suksesshëm Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje. Pa një marrëveshje paqe nuk mund të ketë perspektivë evropiane, nuk do të ketë bashkëjetesë të mirë dhe nuk do të ketë paqe në rajon”, ka shtuar kancelari austriak.

Presidenti Thaçi nga ana e tij ka pohuar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është interes i Kosovës por edhe i qytetarëve të saj.

“Sa i përket marrëveshjes aktuale Kosovë-Serbi, është me rëndësi që qytetarët e Kosovës dhe Kosova janë pro këtij procesi. Ne mbetemi të angazhuar për një marrëveshje me shtetin serb që do të sjell edhe njohje reciproke mes dy shteteve”, theksoi Thaçi.