DW: Z. Kukan, jeni në prag të nisjes për në Bruksel, cilat janë përshtypjet tuaja për zhvillimin e votimit dje në Tiranë dhe ecurinë e deritanishme të numërimit? A ju dhanë garanci palët se do të pranojnë rezultatin?
Eduard Kukan: “Nga aq sa patëm mundësi të ndjekim procesin e votimit dje, më 23 qershor, nga takimet që zhvilluam me drejtues të partive politike,mendoj se ajo vajti në përgjithësi mirë, në mënyrë normale, përveç incidentit tragjik në qytetin e Laçit, ku u humb një jetë njerëzore dhe kjo është e tmerrshme, nuk mund të përligjet dhe justifikohet për asnjë arësye. Ne vizituam katër qendra votimi në Tiranë, nuk u futëm brenda por biseduam me qytetarët që do të votonin ose kishin votuar. Nuk pati raportim incidentesh të tjera dramatike. Të dy drejtuesit kryesorë politikë, në takimet që zhvillova sot paradite me ta , thanë që dita e votimeve ishte normale dhe e civilizuar, gjë që është lajm i mirë, pasi procesi elektoral nuk është vetëm votimi por edhe administrimi i votës , procesi i numërimit, pranimi i rezultateve që janë po kaq të rëndësishme sa edhe votimi. Nga takimet që zhvilluam sot me Z. Berisha dhe Z. Rama morëm garanci për përgjegjësitë e tyre politike që procesi të jetë konstruktiv deri në fund. Kryeministri Berisha rikonfirmoi dhe përsëriti se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai shtoi se interesi i tij kryesor është që zgjedhjet parlamentare të jenë në përputhje me ligjin shqiptar dhe standartet europiane. Kjo ishte vërtet inkurajuese. Edhe Z. Rama na tha se ai është gati të kontribojë për një atmosferë politike konstruktive dhe të përfundojë procesin në një mënyrë të ligjshme. Delegacioni ynë kthehet sot në Bruksel me mesazhe pozitive. Ajo që ne presim nga Shqipëria janë zhvillim i zgjedhjeve” të lira, të ndershme, demokratike” që do tësjelln një imazh të ri për vendin, që është shumë i rëndësishëm, pasi të gjithë presim të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe për të ecur përpara lidhur me statusin e vendit kandidat. Për këtë status zgjedhjet parlamentare janë testi më i rëndësishëm për pjekurinë politike të vendit. Shpresojmë që kjo të provohet dhe konfirmohet nga procesi i numërimit që do të përfundojë sonte. Ne takuam edhe kryetaren e KQZ, Lefteri Lleshi, që tha se nuk ka shumë ankesa që po mbrijnë në KQZ nga qendrat e votimit. Ka ankesa por asgjë dramatike dhe shpreson se shumë shpejt do të ketë çertifikim të rezultatit.”
Pra për ju këto ishin zgjedhje “të lira dhe të ndershme”?
Eduard Kukan: “Natyrisht , ka patur problem, kriza në KQZ, ne deklaruam se ajo duhet zgjidhur para ditës së votimit, se duhet të funksionojë plotësisht me 7 dhe jo 4 anëtarë për të marrë vendime me shumicë të cilësuar, që tani nuk i merr dot. E vetmja zgjidhje ligjore është çertifikimi i rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Dhe kjo do të jetë një minus në raportin për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Gjithashtu delegacioni ynë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it kanë dëgjuar për raste kur punonjësit e sektorit publik janë vënë nën presion nga autoritetet shtetërore të votojnë në favor të partive që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës. Pra nuk kanë qenë zgjedhje të përkryera, por nëse problemi i numërimit do të përfundojë sonte pa asnjë problem…”
Do të përfundojë sonte, kur?
Eduard Kukan: “Duhet të përfundojë sonte, në orën 22.00. Është interesante se për kohën pyetëm secilin nga dy liderat politikë kryesorë, Berishën dhe Ramën, dhe na thanë të njëjtën gjë. Po kështu edhe kryetarja e KQZ, Znj. LLeshi na siguroi që sonte do të ketë përfunduar procesi i numërimit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, aty nga shtatori do të jetë formuar Parlamenti dhe qeveria e re.
A ndjeni ndonjë farë shqetësimi se mos pas përfundimit sonte , në orën 22.00 të mbrëmjes të procesit të numërimit, mund të ketë protesta nga mbështetës, militant të palës humbëse?
Eduard Kukan: “E drejtë. Për këtë folëm shumë qartë me dy drejtuesit politikë, Berisha dhe Rama, dhe u kërkuam të marrin përgjegjësi për situatën politike në vend pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Pra mendoj se këtë herë protestat dhe manifestimet në rrugë për mospranim të rezultatit nga pala humbëse do të shmangen. Dhe për sa kohë dy drejtuesit kryesorë politikë janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre, le të shpresojmë që e kaluara e rezultatit të kontestuar të zgjedhjeve do të arshivohet në histori. Ne dëshirojmë që Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve të ketë një imazh më të mirë politik se sa e kishte para zhvillimit të tyre. Kjo nuk është e lehtë , është e vështirë, por është e nevojshme për vendin që të lëvizë përpara drejt Europës.”
Çfarë pritet të ndryshojë për Shqipërinë pas këtyre zgjedhjeve, që ju i përshkruat me tone pozitive?
Eduard Kukan: “Parlamenti Europian është mbështetësi më i madh i procesit të zgjerimit të BE. Kështu ka qënë përherë dhe kështu ka mbetur. Ne përpiqemi të shprehim mbështetjen tonë ndaj çdo vendi aspirant për t’ u bërë pjesë e zgjerimit, nëse Komisioni Europian ka shumë procedura burokratike ne e shtyjmë të shpejtojë. Kjo ndodh edhe për Shqipërinë. Shqipëria po pret vërtet për statusin e vendit kandidat. Në Dhjetor do të jetë Këshilli Europian që do të merret me Progres Raportet e KE për çdo vend aspirant, që KE do t’i publikojë diku nga tetori. Nëse Progres Raporti do të pasqyrojë situatën e re në Shqipëri dhe shpresojmë që situate e re do të jetë pozitive, e ndryshme nga ajo që pasoi zgjedhjet parlamentaretë vitit 2009: bojkot të Parlamentit, grevë urie nga opozita e protesta në rrugë etj. që ne besojmë fort që nuk do të përsëriten. Shpresojmë që Progres Raporti që është përherë objektiv është një mundësi tjetër për Shqipërinë që të përballet me situatën në një mënyrë të vërtetë , europiane. Por kjo varet nga drejtuesit politikë, nga vetë shqiptarët.”
Ky është mesazh konstant i PE dhe BE. Çfarë do të mund te thoni tjetër sot, para nisjes tuaj për në Bruksel?
Eduard Kukan: “Kemi qenë të sigurtë që pjesëmarrja e qytetarëve në këto votime do të ishte më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ato të vitit 2009, edhe pse nuk ka ende të dhëna përfundimtare. Dua të falenderoj gjithë votuesit, ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, që njerëzit janë të interesuar për të ardhmen e vendit të tyre. Është edhe një mesazh për politikanët që ata duhet të punojnë fort për të mirën e fundit. Dëshiroj të theksoj përgjegjshmërinë politike të drejttuesve politikë për këto zgjedhje që filluan mirë dhe duhet të përfundojnë mirë sepse ne dëshirojmë të ketë vetëm një fitues të këtyre zgjedhjeve. Emri i tij është “Shqipëria”.