Kreu i LSI-së: Kushtetuta do të ndryshohet dhe do të kthehet aty ku ishte

13

metaIlir Meta Kreu i LSI-së, në një dalje në TV Agon, është prononcuar në lidhje me shumë tema, që pritet të prekin së shpejti ndryshimet në skenën politike të vendit. Në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës Meta, është shprehur se asnjëherë nuk ka qenë dakord me ndryshimet që i janë bërë asaj, por që sipas tij, kjo do të kalojë edhe nëpërmjet një procesi konsensusi me opozitën.


Z. Meta, si e përktheni ju me dy fjalë rezultatin e 23 qershorit?

I referohem asaj çka mori Lëvizja Socialiste për Integrim. Demonstrim i shpirtit të ndryshimit të qytetarëve shqiptarë dhe i shpirtit pro-europian të tyre. Sepse nuk kanë qenë zgjedhje të lehta, ka pasur një trysni të padrejtë dhe të pandershme nga ana e maxhorancës së mëparshme dhe e qeverisë aktuale për të trysnuar popullin shqiptar, për të deformuar procesin zgjedhor. Gjë që nisi që me ndryshimin e paligjshëm dhe antikushtetues të anëtarit të KQZ-së dhe që vijoi deri në minutën e fundit apo që më pas vazhdoi edhe me një sondazh të proklamuar nga një kompani gjoja që kishte punuar me Obamën etj., që nxirrte bindshëm fitues koalicionit e djathtë. 

Çfarë përgjigje keni ju z. Meta për ata që thonë se vota për LSI-në në fakt ishte një votë pragmatiste?
Mendoj se ishte një votë e mençur, edhe pragmatiste qoftë, sepse unë nuk e marr asnjëherë në sens negativ, përkundrazi. Ishte një votë e mençur, sepse njerëzit donin një stabilitet dhe së dyti, cila ishte ajo parti që, do të thosha unë, bëri fushatën më pozitive? Ishte LSI-ja. 

Por, me siguri kanë rëndësi potenciale edhe emrat që do të mund të drejtojnë këtë program…
Patjetër, por ajo vjen në fund dhe unë mendoj që të jenë emra krejtësisht në harmoni me programin dhe me prioritetet e tij. 

Për shembull, ju keni programin me pesë pika për punësimin. LSI a nuk do ta ndjente veten më komode që të drejtonte të paktën ato pesë ministri, të cilat vënë në zbatim pikën e fortë të fushatës së saj elektorale?
Për ne më e rëndësishmja është çështja e programit. Së dyti, është që qeveria të ketë sukses në të gjitha fushat, e sidomos në ato fusha që kanë qenë prioritetet tona kryesore, por që janë prioritete edhe të Partisë Socialiste apo të partive të tjera të koalicionit. Njëkohësisht ne nuk e konceptojmë qeverinë të ndarë sipas përfaqësimit partiak, pavarësisht se është e rëndësishme për të pasur një qeveri sa më përfaqësuese edhe nga ana politike. Për ne e rëndësishme është që programi të jetë pikërisht sa më realist, sa më tokësor, sa më i zbatueshëm, sa më konkret dhe ne të gjithë do të monitorojmë përmbushjen e këtij programi. Kjo është kryesorja.

A ishte kaq naiv Vangjel Tavo kur tha se Lëvizja Socialiste për Integrim do të duhet të kontrollojë 40 për qind të qeverisjes, sepse dinte edhe shifrat që do të merrte LSI-ja? Ju thatë se keni folur për to dy muaj përpara, apo jo?
Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të z. Tavo, por e theksova edhe një herë tjetër, për ne është e rëndësishme në radhë të parë të zbatojmë programin dhe të realizojmë premtimet tona, sepse kjo është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe natyrisht emrat përfaqësues të jenë në harmoni të plotë me prioritetet që ne kemi. 

Si ratë dakord me Edi Ramën për të ndarë postin e Kryeministrit dhe që ju do të jeni kryetari i Kuvendit nesër, a ishte e thjeshtë?
Mendoj se është një ndarje e natyrshme dhe e logjikshme, duke lexuar rezultatin e votuesve dhe përgjegjësitë që ata na kanë besuar. Kështu që unë mendoj se, përderisa Partia Socialiste ka dalë në mënyrë të qartë forcë e parë politike, natyrisht që është akoma më e vështirë për partinë që ka dalë e dyta, edhe pse me shumë numra, që të pretendojë postin e Kryeministrit. Për respekt në radhë të parë të votës së qytetarëve dhe të të gjithë opozitarëve, i takon PS-së për të marrë përgjegjësinë për drejtimin e qeverisë. Asaj i takonte marrja e kësaj përgjegjësie. Përderisa ata u votuan më shumë se kushdo tjetër, sigurisht që u takon atyre kjo përgjegjësi. Natyrisht që edhe unë, në emër të LSI-së, kam marrë një përgjegjësi tjetër shumë të rëndësishme, sikurse është drejtimi i Kuvendit. Besoj se fryma jonë e bashkëpunimit, e forcimit të institucioneve dhe e dialogut për reformat e mëdha që ka nevojë vendi do të reflektohet edhe në drejtimin e Kuvendit.

Kush do ta paguajë faturën e keqqeverisjes. Kush do ta mbajë peshën specifike të katër viteve të para, të mandatit tuaj të parë? Natyrisht që nuk duhet ta fillojmë kështu. Ne duhet ta fillojmë me vullnetin për mirëqeverisje, duke nxjerrë mësime nga qeverisjet e deritanishme, nga gabimet tona, por edhe nga gabimet e aktorëve të tjerë. Besoj se garancia më e madhe është ndërtimi i një qeverisjeje, e cila në themel të saj ka transparencën me qytetarin, votuesit, taksapaguesit dhe me të gjitha institucionet e tjera dhe që ka në filozofinë e saj bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen. Pra, një qeverisje ku vendimet nuk janë pronë as të Kryeministrit, as të ministrave dhe as thjesht të maxhorancës, por ato reflektojnë mendimin më të kualifikuar, por edhe sensibilitetet e gjithë shoqërisë e të grupeve të interesit në bazë të çështjeve të caktuara. 

Legalizim falas ishte çështja më e fortë me të cilën Partia Socialiste u prezantua në këtë fushatë. Çfarë do të thotë legalizim falas?
Nuk mendoj se suksesi i Partisë Socialiste në këto zgjedhje ka ardhur për shkak se ka premtuar legalizime falas. Një pjesë e mirë e dështimit në Partinë Demokratike ka ardhur sepse ka premtuar në 4-5 fushata legalizim falas, dhe ky proces ishte komplet i dështuar. Pastaj, se si do të zgjidhet kjo çështje dhe kur do të zgjidhet, kjo do të bëhet transparente, por që çështja e legalizimit do të marrë një zgjidhje të shpejtë, kjo është e padiskutueshme. 

Po për sa i përket heqjes së taksës për biznesin e vogël?
Është një qëllim pozitiv, duhet parë se si mund të implementohet konkretisht. Është një çështje që do të shikohet me imtësi nga ekspertët, për efektin dhe për rolin e saj. Si qëllim ka qenë qëllim i mirë, për të ndihmuar biznesin e vogël. 

A do ketë ndonjë përpjekje nga ana e maxhorancës, që pritet të formojë shumë shpejt qeverinë, për të vënë balancat e humbura gjatë qeverisjes së demokratëve? Do ketë përpjekje qoftë në ndryshimin e Kushtetutës?
Nuk duhet të nisim me paragjykime. Ne gjithçka do ta bëjmë bazuar mbi transparencën dhe mbi bashkëpunimin. 

Do ketë një lëvizje?
Nuk do të ketë asnjë lëvizje të sforcuar, aty ku institucionet funksionojnë në bazë të ligjit. 

Cilat institucione nuk funksionojnë në bazë të ligjit?
Nuk mund ta them këtë gjë, sepse vetëm kur je në pozicion apo detyrë zyrtare mund të bësh një verifikim të qartë. Është shkelur apo nuk është shkelur ligji. Ligjet janë të qarta. 

Duke qenë se nuk i keni pranuar asnjëherë ndryshimet kushtetuese, do të bëni një hap drejt ndryshimit të atyre neneve të Kushtetutës, meqenëse kësaj radhe keni një maxhorancë solide?
Së pari, ka disa elementë. Ne dëshirojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, sidomos për sa u takon reformave të mëdha, aq më tepër legjislacionit që ka të bëjë me integrimin në Bashkimin Europian. Natyrisht që ne kemi një maxhorancë prej 84 deputetësh dhe ajo mund të jetë edhe më e lartë në të ardhmen. Po kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është vullneti ynë për të bashkëpunuar dhe për të orientuar konsensusin me opozitën për miratimin e reformave të mëdha që i shërbejnë të gjithë vendit dhe që kanë impakt afatgjatë. Ndryshimet në Kushtetutë nuk i kam pranuar dhe nuk do t’i pranoj asnjëherë, por natyrisht që rikthimi i Kushtetutës në themelet e saj varet shumë edhe nga konsensusi me opozitën e re. 

Do ta kërkoni këtë gjë?
E kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë gjithmonë. Unë këtë e kam kërkuar edhe në vitin 2009, por në atë kohë z. Berisha më ka thënë në mënyrë të qartë që “unë për këtë gjë nuk jam dakord, se unë kam qenë dakord me këto ndryshime që janë bërë”. Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi me z. Rama për këtë gjë. Duhet edhe konsensusi me opozitën për ndryshimet kushtetuese.

Ku duhet të preket Kushtetuta dhe më pas të kërkoni një proces bashkëpunimi me opozitën?
Kushtetuta duhet të preket në të gjitha pikat të cilat u ndryshuan dhe të kthehet aty ku ishte.