KQZ/4 anëtarëve u mbaron mandati, përgatitet zëvendësimi

22

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka njoftuar tashmë Komisionin e Ligjeve, se 4 nga 7 anëtarët e KQZ-së janë në përfundim të mandatit dhe se duhen nisur procedurat për zëvendësimin e tyre.

Bëhet fjalë për Bledar Skënderin, të propozuar nga PS, Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin, të propozuar nga Partia Demokratike, si dhe Gëzim Veleshnjën, të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Tre të parët do të zëvendësohen nga të njëjtat forca politike që i kishin propozuar më parë, ndërsa te Veleshnja, çështja nis të komplikohet.

Ai kishte marrë mandatin si propozim i LSI-së kur kjo ishte pjesë e mazhorancës. Tani që LSI është në opozitë, PS pretendon se posti që do të lërë bosh Gëzim Veleshnja i takon socialistëve si e vetmja forcë politike e shumicës parlamentare, gjë që do të linte LSI-në të pa përfaqësuar në KQZ.

Brenda radhëve të opozitës, LSI ka të drejtë të kërkojë anëtarin e saj në KQZ si partia e dytë me 18 deputetë e pakicës parlamentare. PD do të duhet të zgjedhë nëse një prej dy propozimeve të saj do t’ia lërë LSI-së. Varianti tjetër është që të kërkohet shkarkimi i Denar Bibës, i cili de facto i përket PS-së, por de jure rezulton si propozim i Partisë Republikane.

Kjo situatë është fryt i marrëveshjes Rama-Basha të 17-18 majit 2017 me të cilën Kryeministri i dha opozitës shumicën dhe drejtimin e KQZ-së. Për të realizuar këtë, Denar Biba kaloi nga kryetar në anëtar dhe nga socialist në republikan. Ndërsa Klement Zguri shkëmbeu vendin me të duke kaluar nga anëtar në kryetar dhe nga republikan në socialist, të paktën ligjërisht.

Nëse opozita do të kërkojë shkarkimin e Denar Bibës për t’i dhënë vendin e tij LSI-së, kjo nuk përjashton që edhe mazhoranca të kërkojë shkarkimin e Klement Zgurit, ndonëse një gjë të tillë socialistët e tentuan një vit më parë, por pa sukses, pasi kryetari i KQZ-së gëzoi mbrojtjen e ndërkombëtarëve që i vlerësuan punën në menaxhimin e procesit zgjedhor 2017.

Cilido qoftë skenari, me plotësimin e mandateve të reja, e sigurt duket se socialistët do të rifitojnë shumicën prej 4 anëtarësh, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, de facto apo de jure.