Konfirmohet në detyrë kreu i Prokurorisë së Apelit Dritan Peka

15

KPK vendosi konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka.

Rivlerësimi i tij u bë për të tre kriteret. Në seancën e drejtuar nga treshja e gjyqtarëve Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj, prokurori Peka zgjodhi të ishte vetë i pranishëm bashkë me avokatin për të pritur vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pasqyroi raportin e vënë në dispozicion të dokumentacionit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas të cilit prokurori Dritan Peka kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, Hamitaj deklaroi se hetimi i KPK-së i kishte kaluar prokurorit barrën e provës mbi dyshime për kontrata fiktive, përdorimin e papërshtatshëm të parave të përfituara nga një kredi e butë dhe blerjen e një makine me çmim fiktiv.